Lajme Arkiva 2003

Kryeministri Fatos Nano ka deklaruar në parlament se vetëm miratimi i ligjit për pronat do të zgjidhë problemin e legalizimit të ndërtimeve pa leje. Në një interpelancë të kërkuara nga deputeti demokrat Besnik Mustafaj, kryeministri ka pranuar ekzistencën e një platforme  politike dhe shtetërore për zgjidhjen e kësaj çështje delikate.

Fatos Nano: Më lejoni të paraqes në mënyrë të përmbledhur hapat kryesore që po ndërmarrim. 1. Miratimi i ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronave si një kusht shumë i rëndësishëm për vijimësinë dhe suksesit të procesit të legalizimeve. Ne synojë që ky ligj të miratohet këtu në kuvend brenda muajit korrik të këtij viti kur mbyllet ky sension parlamentarë. Miratimi i tij i hap rrugën miratimit dhe zbatimit të akteve të tjera ligjore dhe nënligjore të legalizimit të komuniteteve informale. Po identifikohen zonat kryesore për legalizim. Si zona masive të tilla përmend zonën e Bathores, të Paskuqanit, të Laprakës, zonat e ish kënetës, Porto Romanos dhe Rashbullit në Durrës, zonën e Bradasheshit në Elbasan, zonën e fushës së aviacionit në Vlorë etj. Puna e filluar për këtë identifikim dhe legalizim të tyre në hartat urbanistike do të përfundoj brenda muajve të parë të vjeshtës.

Deputeti Mustafaj nuk ka mbetur i kënaqur nga përgjigja e kryeministrit pasi sipas tij këto janë vetëm premtime.

Besnik Mustafaj: Është një tekst i shkruar në stilin e premtimeve tuaja e të kujtojmë këtu premtimin për kthimin e parave në ‘97, le të kujtojmë premtimin për 200.000 vende pune dhe ky që është i treti premtim për nga rëndësia dhe që prek një masë shumë të madhe shqiptarësh dhe që ju nuk e keni mbajtur, e keni keqpërdorur rastin elektoral dhe i keni bërë një dëm në radhë të parë të interesuarve por më pas gjithë shoqërisë shqiptare.

Në replikën me zotin Mustafaj, zoti Nano ka ftuar të gjitha strukturat politike përfshirë edhe opozitën në zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe zbatimin e platformës shtetërore për legalizimet./tvklan.al