Ndahet nga jeta dirigjenti i shquar shkodran, Kujtim Alija, organizator për shumë vite i festivalit mbarëkombëtar të fëmijëve si dhe drejtues i Qendrës Kulturore të Fëmijëve në Shkodër

Kohët e fundit ai vuante nga një sëmundje e rëndë e cila i mori jetën.

Kujtim Alija vjen nga një familje shkodrane intelektualësh, të cilët e donin arsimin dhe artin dhe është një prej emrave me një kontribut të madh në muzikën shqiptare. Ai mbaruar Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, nën drejtimin e dirigjentit, Artistit të Popullit, Rifat Teqja, mbas shkollës së muzikës “Prenkë Jakova” të Shkodrës.

Pas diplomimit ka filluar punën në qytetin e Shkodrës ku ka organizuar dhe drejtuar koncerte e veprimtari të ndryshme artistike si brenda, ashtu edhe jashtë Shqipërisë, me Filarmoninë e Shkodrës, Orkestrën frymore si dhe formacionin e harqeve.

Festivali i parë shqiptar i këngës për fëmijë u zhvillua në Shkodër, më 10-11 Maj 1963, një vit pas Festivalit të Këngës në Radio. Kjo bëri që ky festival të mbesë deri më sot, si të thuash “Pronë” e këtij qyteti.

Ky festival në vite zbuloi dhe u dha rrugën e artit shumë talenteve të cilët më vonë shkëlqyen në skenat shqiptare dhe ato botërore. Në gjithë këto vite dirigjenti, drejtuesi dhe organizatori shkodran Kujtim Alija, pati jo vetëm fatin, por edhe aftësitë të bëhej vazhdues i mjeshtreve, që drejtuan këtë festival, duke e drejtuar atë deri sot, pa munguar dhe pa i ndryshuar klasin asnjëherë, gjë që nuk ishte aq e thjeshtë, duke pasur parasysh së paku ngjarjet e vitit 1991 dhe 1997.

Nga ana tjetër, ai i rriti klasin këtij Festivali me zgjerimin e gjeografisë së tij, me pjesëmarrje të krijuesve dhe interpretuesve të vegjël nga Shqipëria, Kosova. /tvklan.al