3 muaj pas vendosjes së eksplozivit në banesën e marrë me qira në Elbasan nga dy motrat Alda dhe Xhovana Nikolli, humb jetën Enea Thomaraj, 29-vjeçari që mbeti i plagosur nga shpërthimi.

I riu banonte në apartamentin përballë dy motrave Nikolla që ishin shënjestër e këtij sulmi. Pas sulmit me lëndë plasëse, i riu u transportua në spital me plagë të shumta, si pasojë e të cilave prej 3 muajsh ishte në luftë me jetën, deri mëngjesin e kësaj të premte.

Për ndarjen nga jeta të 29-vjeçarit, kanë folur dhe fqinjët e tij, të cilët shprehen tepër të tronditur.

“Shumë e dhimbshme. Të jetë tjetri në shtëpinë e vet dhe të gjejë vdekjen. Ka vuajtur 2-3 muaj në gjendje kome. S’e gjetën autorin, ato dy femrat ku ikën? Ato ikën në Turqi, nuk jetojnë më këtu.”

“S’e besonim që do ndodhte kjo gjë. Çun babaxhan nga të gjitha anët. Ai e mbante shtëpinë, njëri pa fjalë. Të jesh në shtëpinë tënde të ndodhi kjo është katastrofë. S’ka më keq. Autori nuk është kapur akoma, ja shteti jonë. Vjen tjetri dhe të merr jetën në shtëpi të vet.”

Një nga motrat Nikolla, konkretisht Xhovana është e fejuara e një prej të penduarve të drejtësisë, Amarildo Nikollit, të arrestuar në Gusht të 2023 në Vlorë. Vetë e reja dhe motra e saj përmes disa videove në rrjetet sociale kanë akuzuar Nuredin Dumanin lidhur me këtë ngjarje.

Nga ana tjetër, vetë Policia e Elbasanit ende nuk ka arritur të vërë përpara përgjegjësisë autorët, të cilët dyshohet se kanë qenë me pagesë.

Tv Klan