Në vitin 2023, shpenzimet mesatare mujore për konsum për një familje shqiptare e përbërë mesatarisht nga 3,7 persona, vlerësohen me 91.675 lekë.

Sipas vrojtimit të INSTAT ky tregues është 3,7% më i lartë se në vitin 2022.

Grupi me rritjen më të lartë të shpenzimeve mujore është “mallra dhe shërbime”, me 6,2%, krahasuar me vitin 2022, ndjekur nga grupet: “pije alkoolike dhe duhan” 5,6%, “mobilim dhe mirëmbajtje e zakonshme e banesës” 5,1%.

E përkthyer në vlerë reale një familje mesatare shqiptare harxhon për “ushqime dhe pije jo-alkoolike” rreth 36 mijë Lekë, shumë kjo që zë një peshë prej 39,6 % në buxhetin familjar.

Për grupin “shpenzime për banesën, ujë, energji elektrike dhe qira” një familje shpenzon 8 mijë e 900 lekë ose 9,7 % të totalit të buxhetit.

Në vend të tretë renditet grupi “restorante dhe hotele”, me një vlerë mesatare mujore të shpenzimeve prej 6 mijë e 700 lekë ose 7,4 % të buxhetit.

Në vitin 2023, njësitë ekonomike familjare të qarkut Tiranë, shpenzojnë më shumë për konsum, mesatarisht 108 mijë lekë në muaj.

Qarqet e tjera me shpenzime të larta mujore për konsum janë Korça me 91 mijë lekë dhe Durrësi me 89 mijë e 561 lekë.

Ndërsa qarqet me shpenzimet mesatare më të ulëta mujore për konsum janë: Kukësi me 73 mijë lekë dhe Dibra: 74 mijë e 500 lekë.

Tv Klan