Britania e Madhe do të injektojë në banka 50 milion sterlina nga taksat, pjesë e një plani shpëtimi që ka si qëllim të forcojë institucionet britanike të prekura nga kriza financiare.

Zyra e kryeministrit e përshkroi paketën si një ristrukturim afatgjatë të sistemit bankar. Në bazë të planit tetë do të jenë bankat më të mëdha të vendit që do të kalojnë përmes këtij fondi, çka është e barabartë me një shtetëzim të pjesshëm të tyre.

Ministri i Financave, Alistair Darling, deklaroi se Britania e Madhe dhe shtetet e tjera duhet të dërgojnë një mesazh të qartë për stabilizimin e tregjeve dhe fuqizimin e ekonomisë në këtë periudhë të trazuar.

Vendimi vjen një ditë pasi një pjesë e madhe e bankave humbi pothuaj gjysmën e vlerës së aksioneve në bursë, por ndërkaq tregjet financiare në Evropë janë në rënie të lirë.

Në Paris, Milano, Londër, Frankfurt, Bruksel, Vjenë, Stamboll e Pragë u shënuan humbje nga 6.2% deri në 8.18%.

Dramatike është situata dhe në tregjet aziatike ku indeksi Nikei i Tokios u hap me -10%. Një humbje e tillë nuk ishte regjistruar që në vitin 1987.

Tërmet edhe në Wall Street. Në Shtetet e Bashkuara indeksi i Dow Jones dhe Nasdaq është në rënie të lirë gjithashtu, një shenjë e qartë kjo mosbesimi ndaj premtimeve të kreut të Federale Reserve për uljen e taksave dhe normës së interesit./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle