Qytetarët himarjotë janë duke votuar për të zgjedhur mes  dy kandidatëve per kryebashkiak Vangjel Tavo i PS dhe Petro Gjikuria i cili kandidon nën siglën e koalicionit “Bashkë Fitojmë’  të partive opozitare.

Kreu i KQZ Celibashi bashkëbisedoi me anëtaret e KZAZ nr. 88. Ai u informua për problematikat e raportuara dhe si janë zgjidhur si dhe detajet teknike për ecurinë e procesit. Për shqetësimin e opozitës në lidhje me disa votues që janë paraqitur në qendrat e votimit me karta identiteti të skaduara, Celibashi iu referua ligjit.

Ilirjan Celibashi, kreu i KQZ: Autoritet përgjegjëse shtetërore të cilat e ofrojnë këtë shërbim duhet që t’i përgjigjen këtij interesi dhe e dyta qëndron po kështu në një lloj mënyre edhe për partitë poltike apo subjekte të tjera të interesuara. Me këtë që po them nuk jam duke u përpjekur që të shmang gravitetin e problemit e as të shkakut të problemit, tek e fundit është një interes që më së pari lidhet me vetë votuesit, së dyti me kandidatët dhe pjesëmarrësit e tjerë në garë.

Kryekomisioneri e shmangu përgjigjen për një variant të votimit me certifikata nga votuesit e Himarës.

Kandidati i opozitës, Petro Gjikuria ishte i bindur se do të fitojë zgjedhjet në Himarë, kur u pyet nëse do ta pranonte ofertën e Vangjel Tavos për postin e nënkryetarit të bashkisë.

Petro Gjikuria, kandidat i opozitës: Kjo është një ditë feste, le ta festojmë të gjithë bashkë. Është dita e demokracisë, uroj të gjithë bashkëfshatarët e mi që të shkojnë në ditët e votimit, të fitojë më i miri, të fitojë demokracia. Unë do të jem kryetar i ardhshëm i Bashkisë së Himarës. Vitin e kaluar u lanë njerëz për të votuar me karta të skaduara, kurse këtë herë nuk u lanë të votonin edhe ky është një problem se edhe trajtimi i qytetarëve të Himarës, socialistëve u jepnin kartat brenda 24 orëve, kurse anës tjetër u thoshin për dy javë. Nuk mendoj se do të ndikojë në rezultat. Rezultati do të jetë një rezultat i mirë, koalicioni “Bashkë Fitojmë” do të fitojë këtë herë, do të fitojë demokracia.    

Kandidati socialist Vangjel Tavo ftoi zgjedhësit që të paraqiten ne qendrat e votimit.

Vangjel Tavo, kandidat i PS: Sot e kanë fjalën Himara dhe himarjotët për të votuar. Procesi deri tani ka qenë shumë i qetë. Uroj që ky proces të vazhdojë kështu deri në momentin e fundit, uroj që të vazhdojë deri në momentin e fundit të votimit qetësia, ashtu sikundër se ka mbizotëruar e njëjta qetësi edhe gjatë fushatës elektorale. U bëj thirrje gjithë himarjotëve të Bashkisë së Himarës të dalin pasivisht në votime, të votojnë projektin më të mirë, alternativën më të mirë për Himarën dhe himarjotët kudo ku ndodhen.

Votimet në Himarë për kryetarin e ri të bashkisë, i jep fund sagës së një bashkie prej gati 17 muajsh pa kryetar të zgjedhur që nga arrestimi i Fredi Belerit.

Arrestimi i Fredi Belerit në 12 Maj të 2023, dy ditë para zgjedhjeve vendore nën akuzën e blerjes së votave dhe mos lejimi i betimit të tij si kryebashkiak fitues shkaktoi tension mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Blerina Bala e më pas Arqile Bollano ishin kryebashkiakët në detyrë që pasuan burgosjen e Jorgo Goros, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës pas tjetërsoi pronat në mënyrë të paligjshme zgjedhje të reja në Bashkinë e Himarës do t’i sjellin më në fund votuesve një kryebashkiak të zgjedhur ndërsa nuk dihet nëse Greqia do të zhbllokojë nisjen e negociatave të Shqipërisë me BE-në për kapitujt e parë të anëtarësimit.

Klan News