Një emigrant shqiptar, i cili punoi për 24 vite në New York, pretendon se nuk është lejuar të telefonojë familjen e tij përpara se të deportohej në Prill të këtij viti drejt Shqipërisë. Sokol Vokshi, 47 vjeç, njihej ndryshe si “Sal”. Ai ishte kamarieri i preferuar i të gjithëve në restorantin Golden Reef në Long Island.

Vokshi ishte i martuar dhe baba i dy vajzave. New York Post shkruan se 47-vjeçari u deportua drejt Shqipërisë më 4 Prill dhe nuk ka pasur mundësinë që të shikojë fëmijët e tij, të moshës 12 dhe 14 vjeçe.

Ai tha se agjentët e emigracionit e vunë në pranga para dy muajsh, e futën në qeli për dy ditë dhe e dërguan në një avion për ta kthyer më pas në vendin e origjinës. Sokoli qëndron tani në Durrës.

Ndërkohë, avokati i tij, Altin Nanaj, tha për New York Post se ky rast deportimi ishte i pazakontë, pasi Vokshi ishte pajisur me një numër Sigurimi Social, merrte çdo vit leje pune, paguante taksa dhe nuk kishte asnjë rekord kriminal.

“Ky është një burrë familjeje model, i cili punonte natë e ditë. Mesa duket Agjencia e Emigracionit dhe Doganave është pas çdokujt”,

 tha Nanaj.

Ndërkohë pronari i lokalit, ku punonte 47-vjeçari tha se nuk e dinte çfarë të bënte kur “Sal” nuk u shfaq në punë. Klientët u mërzitën dhe pyesnin për të. Ata kanë krijuar një fond për Vokshin në mënyrë që të paguajë shpenzimet e avokatëve. Deri më tani kanë siguruar për të 11.500 dollarë.

Sokol Vokshi thotë se ka kërkuar azil politik në New York që në vitin 1993. Ai u regjistrua në qeverinë federale dhe i dhanë një numër Sigurimi Social. Kur gjykata refuzoi kërkesën e tij në 1997-n dhe i kërkuan të largohej, ai shprehet se disa avokatë që kishte punësuar i thanë të qëndronte dhe të apelonte vendimin.

“Më thanë: ‘Qëndro gjatë apelit. Vazhdo puno’. Një veprim shkaton një tjetër. Unë qëndrova, punova, u martova dhe bëra fëmijë”,

 tha Vokshi për New York Post nga Durrësi.

Në momentin që pa agjentët e emigracionit më 2 Prill, Vokshi tha se mendonte se ishte një rutinë për të diskutuar apelin e tij në gjykatë. Sipas tij, agjentët i nxorrën jashtë avokatin, vetë e vunë në pranga, ndërsa tre ditë më vonë e hipën në një avion që e çoi në vendin, ku jeton motra e tij.

“Nuk e njoh këtë vend. Shkoj nëpër restorante dhe bare, por nuk më punësojnë. Mendojnë se jam i vjetër”,

 thotë Vokshi.

47-vjeçari shprehet se paguan akoma 12.000 dollarë taksa për shtëpinë e tij në Long Island dhe ka deklaruar se nëse nuk i garantohet një vizë për t’u rikthyer sërish në SHBA, gruaja dhe fëmijët e lindur në Amerikë do të kthehen në Shqipëri.

“Nuk mund të ndahemi në këtë mënyrë. Ëndrra jonë amerikane po kthehet në makth”,

 thotë ai.

/abcnews.al