Flet Kryetari i Komisionit Parlamentar për Rendin dhe SHIK-un, zoti Neritan Ceka për shkarkimin e Ministrit të Rendit Petro Koçi.

Gazetari: Besoni në akuzën e Koçit ndaj Majkos për një kompromis të fshehtë me Berishën për realizimin e Paktit të Rendit?

Neritan Ceka: Besoj se këto janë dokrra. E arsyetoj me faktin që nuk ka më budallenj që të bëjnë kompromise me Berishën.

Gazetari: Sipas jush cilat janë gabimet e Koçit që detyruan Majkon ta shkarkoje nga detyra?

Neritan Ceka: Ato duhet t’i sqarojë vetë Koçi edhe zoti Majko, por mendoj që deri sot jemi në rrugën institucionale. Siç thashë përpara një Kryeministër ka të drejtë të zgjedhë stafin e tij sidomos në një sektor të tillë siç është sektori i Rendit dhe këtu nuk janë respektuar.

Gazetari: Kjo do të thotë që ju si Kryetar i Komisionit të Rendit dhe SHIK-ut nuk keni mbikqyrur si duhet Ministrinë e Rendit, nuk keni nxjerrë në pah disa të meta të punës së tij?

Neritan Ceka: Për fat të mirë nuk jam polic as gjeneral. Ne kemi bërë vetëm verifikime në lidhje me zbatimin e ligjeve të akteve nënligjore dhe nuk merremi me çeshtje që kanë të bëjnë me ekzekutivin./tvklan.al

Gazetar: Vladimir Lame