Ahmetaj: Nuk do të rriten çmimet për familjet dhe bizneset e vogla

Qeveria shqiptare do të nisë me shpërndarjen e njësive individuale dhe të apartamenteve nga 25 Nëntori i këtij viti për qytetarët që janë prekur nga tërmeti i Nëntorit të 2019. Lajmin e bëri të ditur zv/kryeministri, Arben Ahmetaj.

“Vendimi ka të bëjë me mënyrën si do të shpërndahen njësitë individuale dhe apartamentet në zonat e dëmtuara duke filluar besoj nga 25 Nëntori i këtij viti duke filluar me pjesën e parë të shpërndarjes së apartamenteve. Praktikisht në vendim është përshkruar një mënyrë transparente e shpërndarjes së apartamenteve pasi kalon lista prioritare në bazë të ligjit. Lista prioritare ka të bëjë me familjet në nevojë për disa kategori. Pastaj për pjesën tjetër të qytetarëve mënyra si do të shpërndahen apartamentet do të jetë me short publik transparent që do të zhvillohen nga njësitë vendore. Pra me short publik. Qytetarët që do të përfitojnë apartamente apo njësi individuale do të jenë përballë shortit publik ku do të përputhet vlerësimi i shpërblimit për ta dhe apartamentet e ndërtuara kohë pas  kohe. Të gjitha familjet do të jenë përballë një procesi shumë transparent dhe shumë publik që qytetarët të mos i vendosin pikëpyetje procesit por të jenë të qetë që kanë marrë atë që i takon”, tha Ahmetaj.

Ahmetaj tha pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë që nuk do të rritet çmimi i energjisë për familjet dhe biznesin e vogël. Ai tha se për biznesin e madh dhe të vogël do të vijojë reforma siç ka qenë e planifikuar.

“Kryeministri ka qenë shumë i qartë në deklarimin e planit. Pika e parë që është shumë e rëndësishme ka të bëjë me furnizimin, pika e dytë ka të bëjë me mosrritjen e çmimit për familjarët dhe biznesin e vogël. Për pjesën tjetër ka një reformë që do të vazhdojë siç ka qenë e planifikuar. Nuk do të rriten çmimet për familjarët dhe biznesin e vogël. Do të vazhdojmë t’i mbrojmë familjet dhe bizneset e vogla nga gjëma ndërkombëtare e energjisë elektrike”, tha Ahmetaj. /tvklan.al