Një grua nga Çikago akuzohet se ka mbajtur trupin e pajetë të nënës së saj në një frigorifer për gati dy vjet, ndërsa vetë jetonte në një apartament aty pranë.

Associated Press (AP News) shkruan se bëhet fjalë për 69 vjeçaren Eva Bratcher. Në gjykatë ajo u akuzua për fshehjen e vdekjes së nënës së saj 96-vjeçare dhe falsifikim të kartës së saj të identitetit.

Trupi i të moshuarës Regina Michalski u zbulua këtë javë brenda një frigoriferi në garazhin pranë banesës së vajzës së saj.

Hetuesit besojnë se ajo vdiq në Mars të 2021-it ndërsa shkaku i vërtetë do të zbulohet pas ekspertizave mjekësore që duan kohë pasi trupi është totalisht i ngrirë.

Avokati i Eva, David Kelly kërkoi që e akuzuara të lirohej me kusht duke dhënë 20 mijë dollarë por një gjë e tillë u hodh poshtë nga gjykata.

Eva është dënuar më parë për falsifikim dokumentesh dhe hetuesit kanë dyshime se ajo po përfitonte nga sigurimet shoqërore të nënës së ndjerë duke mos e deklaruar të vdekur. Ajo që dha alarmin në polici për zhdukjen e së moshuarës ishte mbesa e saj, vajza e Eva Bratcher./tvklan.al