Pak kush nga teleshikuesit e thjeshtë, por ndoshta dhe ata më të ndërlikuar janë në gjendje të kuptojnë sot debatin e zhurmshëm, por në fakt të thjesht ndërmjet KLD-së dhe Ministrisë së Drejtësisë.

Në fakt kjo që po ndodh sot është kërkesë e Këshillit të Evropës dhe direktivë e misionit të Bashkimit Evropian, Euralius, që në vitin 2006.

Projekti i ofruar nga qeveria shqiptare është një praktikë e ndjekur nga shumica e vendeve të Bashkimit Evropian, ndryshe nga ai ekzistues, për të cilin mazhoranca pretendon se nuk ekziston asnjë vend tjetër të botës.

Me pak fjalë administrata gjyqësore në bazë të kësaj reforme me statusin e nëpunësit civil dhe paga rritet me 200%, por si erdhëm deri këtu?

Ligji i vjetër për organizimin dhe funksionimin e gjykatave nuk shprehet i qartë në lidhje me faktin se kush është kryeadministratori duke e lënë në një farë mënyre në një zonë gri.

Nga ky boshllëk në vitin 2001-2002 me një urdhër të qeverisë Meta ish-Ministri i Drejtësisë i asaj kohe, Arben Imami, bën një zgjidhje të ndërmjetme, ku i jep rol edhe kryetarit të gjykatës dhe kancelarit.

Ligji i ri mbi sistemin gjyqësor, i miratuar më 18 Shkurt të vitit 2008, i aprovuar si nga mazhoranca dhe opozita me konsensus, bën kancelarin kryeadministrator të gjykatës ashtu si në shumicën e vendeve evropiane.

Mazhoranca mbështet fort pretendimin se projekti mbi administratën gjyqësore nuk heq apo shton kompetenca, por vetëm qartëson ato tashmë të miratuara në ligjin për sistemin gjyqësor, pra gjyqtarët me detyrën për të dhënë drejtësi dhe administrata me pjesën që tingëllon burokratike të procesit.

Kështu kryetari i gjykatës mbikëqyr solemnitetin e vendimeve të gjykatës, merret me shpërndarjen e gjyqtarëve në seksione, rritjen profesionale të tyre.

Kryetarët dhe gjyqtarët gëzojnë të drejtën të urdhërojnë administratën gjyqësore për të gjitha nevojat brenda seancave gjyqësore.

Kancelari menaxhon vetëm punët administrative të gjykatës. Pretendimet kryesore të opozitës lidhen me faturën e munguar financiare të projektit të ri, centralizimin e administrimin në duar të Ministrit të Drejtësisë duke përjashtuar në këtë mënyrë kryetarin e gjykatës si autoriteti më i lartë drejtues.

Përcaktimi i buxhetit është kontestuar gjithashtu nga opozita me pretendimin se do të jetë ministria që me qark të mbyllur do të vendosë mbi nevojat financiare të gjykatave, por për të njëjtën pikë mazhoranca këmbëngul se është kryetari i gjykatës ai që bën politikën financiare e që më pas përkthehet në terma buxhetorë nga kancelari, por as kryetari i gjykatës dhe as kancelari nuk vendosin, por është zyra e administrimit të buxhetit.

Megjithatë debati vijon të jetë i hapur dhe ka shënuar të tjera tone në një mbledhje të radhës së komisionit të ligjeve duke lënë pas të paktën deri më tash frymën konsensuale që prodhoi ligji i ri mbi sistemin gjyqësor./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi