Personi që shihni në foto është Ruben Saraiva, shtetasi portugez i identifikuar nga policia si vrasësi i biznesmenit, Ardian Nikulaj më 19 prill në lokalin e tij në Shëngjin.

Krahas pamjeve filmike brenda lokalit, siç shihet ai është fiksuar edhe jashtë restorantit të viktimës para dhe pas ngjarjes. Megjithatë ndonëse në to shfaqet i vetëm, për të finalizuar vrasjen ai ka patur 5 bashkëpunëtorë të tjerë. 4 prej të cilëve shtetas britanikë, mes tyre dhe një vajzë. Ndërsa Edmond Haxhia, një shqiptar me nënshtetësi angleze akuzohet se ka pasur rolin e organizatorit dhe financuesit. Të gjithë janë larguar nga Shqipëria pas vrasjes.

“Edmond Haxhia Done, me shtetësi shqiptare dhe britanike, Ruben Saraiva, shtetas portugez, Harry Simson, shtetas britanik, Thomas Mithan, shtetas britanik, Steven Hunt, shtetas britanik, Harriet Bridgeman, shtetase britanike. Grupi hetimor po bashkëpunon me partnerët dhe strukturat ligjzbatuese ndërkombëtare, për kapjen e autorëve të kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale, të cilët janë larguar nga territori i Republikës së Shqipërisë, pas kryerjes së krimit.”

Vrasësi portugez, rezulton të ketë hyrë në Shqipëri që në muajin Mars, ndërsa ka dalë nga territori të nesërmen e ngjarjes përmes pikës kufitare të Kapshticës.

Për të finalizuar ekzekutimin e Nikulajt, ai merrte informacione për çdo lëvizje të biznesmenit nga 4 shtetasit britanikë. Ky është njëri prej tyre i cili është filmuar nga kamerat e sigurisë së Hotel Coral të viktimës, ku dhe u strehua për 1 natë.

Kreu i policisë së shtetit tha se ngjarja kishte motiv gjakmarrjen. Edmond Haxhia rezulton djalë daje me personat që ishte në hasmëri prej më shumë se 20 vitesh, viktima. Haxhia dyshohet se ka organizuar ekzekutimin dhe më pas është larguar drejt Britanisë së Madhe.

Në emër të tij rezultojnë të marra me qira dy automjete në qytetin e Shkodrës. Pikërisht është ai është personi që ka pritur vrasësin portugez dhe 4 shtetasit anglezë kur kanë mbërritur në Shqipëri përmes aeroportit të Rinasit. Policia thotë se ka siguruar prova biologjike që i lidhin këta individë me ngjarjen.

“Si rezultat i hetimeve janë dokumentuar veprimet e autorëve të dyshuar, nga momenti i organizimit, deri në momentin e vrasjes së 51-vjeçarit Ardian Nikulaj si dhe e gjithë dinamika dhe itineraret e përshkruara nga ekzekutori dhe të gjithë shtetasit e tjerë të përfshirë si organizatorë dhe bashkëpunëtorë në kryerjen e kësaj ngjarjeje. Nga veprimet procedurale të kryera për këtë ngjarje janë siguruar prova shkencore biologjike të pakundërshtueshme që i përkasin autorëve të kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale. Përsa i përket automjeteve të përdorura për kryerjen e krimit nga autorët e dyshuar është dokumentuar përdorimi i tyre nga personat e dyshuar për një periudhë kohore për realizimin e vrasjes”.

Gjatë kontrolleve të policisë paraditen e së mërkurës u gjetën dhe sekuestruan 1 nga automjetet e përdorura për lëvizjen e para dhe pas krimit të personave të përfshirë si dhe rrobat e vrasësit. Këto të fundit u zbuluan të fshehura në zonën e Gjadrit, në shtëpinë e nënës së Edmond Haxhias.

Tv Klan