Superliga shqiptare dhuroi 18 gola me 5 takimet e javës së katërt të saj. Mesatare prej më shumë se 3.6 golash për çdo 90 minutësh. Distancë prej 5 pikësh është hendeku mes vendit të parë që mbahet nga Elbasani dhe Laçit, të fundit të tabelës. Pikërisht ky 90 minutësh ishte edhe takimi që prodhoi më pak gola, me verdheblutë që fituan minimalisht 1-0.

Ze Gomesh shënoi golin e vetëm për t’i dhuruar fitoren e dytë sezonale, për t’u ngjitur në kuotën e 7 pikëve.  Elbasanasit kryesojnë renditjen për shkak të golavarazhit +3, pasi me 7 pikë janë katër skuadra. Partizani ngeci në barazim 2-2 kundër Dinamo City. Derbi spektakolar me 4 gola, me “demat e kuq” që iu rrëshkiti fitorja nga dora vetëm në çastet e fundit. Gjithsesi një pikë që i mban në vendin e dytë, me bilancin +2 të golave.

Vllaznia mposhti Egnatian për të barazuar kuotën e pikëve me rrogozhinasit, me dy skuadrat që kanë 7 pikë. Teuta shënoi fitoren e dytë sezonale, pas dy humbjeve radhazi. Durrsakët triumfuan 3-2 në fushën e Skënderbeut, në atë që ishte edhe sfida që prodhoi më shumë gola. Teuta mban vendin e pestë me 6 pikë, për të lënë pas krahëve Bylisin që ndali në barazim Tiranën. Ballshiotët shmangën humbjen në minutat e fundit për të lënë sërish bardheblutë pa fitore.

Kryeqytetasit janë edhe skuadra që njohin vetëm barazime në këtë fazë të sezonit, duke mbetur pranë zonës së ftohtë të renditjes. Pas 4 javësh kampionat, renditja e golashënuesve kryesohet nga Bekim Balaj dhe Arinaldo Rrapaj me 3 gola për të hedhur menjëherë kandidaturën për Këpucën e Artë të Superligës shqiptare.

Klan News