Një person i vetëm krijoi një staf e më pas rreth 1 mijë të tjerë bënë të mundur që në realizimin e radhës të “Njerëz të humbur” të arrihej shikueshmëria më e lartë me një numër rekord telefonatash.

Rikthehen në momente emocionet e forta të një historie që nuk vdes kurrë. Bëhet pjesë e familjes “Njerëz të gjetur” shtetasi kosovar, Mahir Neziri, për të cilin familja shënonte në kalendarin e shtëpisë 17 vite mungesë.

Aida Shtino: “Se mbas shumë vitesh nga viti 1993 ne arritëm ta gjejmë Mahirin. Pas kaq vjetësh do të shikoni një video që ne na e ka dërguar korrespondenti jonë aty, Esat Braçe, në takimin që ai bëri me Mahir Nezirin.”

Surprizat e natës së djeshme nuk munguan edhe për Elvira Subashin, e cila gjendet mes katër mureve të burgut 325.

Aida Shtino: “Elvira, je duke na ndjekur në këto momente?”

“Po, po të dëgjoj shumë mirë”.

Aida Shtino: “A e shikon foton e Samuelit?”

“E shikoj.”

Aida Shtino: “Të ka marrë malli, jam e bindur”.

“Shumë, më mungon shumë”.

Aida Shtino: “Për këtë unë dua të falënderoj shtëpinë e fëmijës në Sarandë, të cilët kanë mundësuar menjëherë të na dërgojnë një foto të Samuelit në mënyrë që ti ta kesh dhe të çmallesh aty ku je”.

Por sërish rezultojnë rreth 3 mijë persona të humbur në database, të tjerë si Lefter Lushi, Fredi Shqau, Gjom Toni, Erand Kumaraku, Juliana Hoxha e të tjerë. Shumë familje ende presin”./tvklan.al