Në Nëntor të vitit 2020 emisioni Stop transmetoi rastin e Shkumbin Miftarit nga Kosova, i cili ishte diplomuar në Universitetin e Arteve në Tiranë për fizarmonikë në Bachelor dhe Master, por iu mohua e drejta e punësimit si mësues i  fizarmonikes në shkollën e muzikës në Prizren.

Në vend të tij u emërua dikush tjetër që nuk kishte Masterin. Pas kësaj, Shkumbini mori pjesë në Kampionatin Botëror për Fizarmonikë, ku u rendit i 5-ti.

Gazetari i Stop, Genci Angjellari shkoi në Gjilan, ku ka një shkollë muzike. Drejtori i kësaj shkolle Kushtrim Jakupi kishte premtuar se Shkumbini do të punësohej në këtë shkollë në Shtator.

“Ne mund të krenohemi me Shkumbinin. Në vazhdimësi kemi bërë përpjekje që Shkumbini të jetë pjesë e këtij institucioni sepse kjo është edhe në të mirën tonë”, tha Kushtrim Jakupi, drejtori i shkollës së muzikës Gjilan.

Kurse nënkryetari i komunës së Gjilanit, Arbër Ismailaj, gjithashtu premtoi ta ndjekë me përparësi punësimin e Shkumbinit.

“Personalisht jam interesuar, e kam kontaktuar edhe drejtorin e DKA-së por edhe drejtorin e shkollës së muzikës dhe më është premtuar nga të dy që në momentin e parë që krijohet mundësia për të gjetur nxënës të atij profili do të hapet norma në varësi të numrit të nxënësve që kanë gatishmëri për ta ndjekur këtë profil”, deklaroi Arbër Ismailaj, nënkryetar i Komunës Gjilan.

Në fund, stafi i emisionit Stop takoi edhe Shkumbinin për t’i dhënë lajmin e bukur se tashmë është i punësuar në shkollën e muzikës në Gjilan.

“Ju falenderoj për insistimin e vazhdueshëm që keni pasur durim të merreni me çështjen time këtu, është një falenderim që s’do e harroj kurrë do jem gjithmonë mirënjohës. Sinqerisht është edhe një meritë edhe falenderim që pas disa vitesh do t’ju falenderojnë edhe nxënësit, studentët, prindërit e fëmijëve që tani e tutje do ta kenë një profesor të kualifikuar që mësimet do t’i marrin të rregullta”, u shpreh Shkumbin Miftari. /tvklan.al