Skuadra shqiptare, kanë zhgënjyer në Europë, duke u eliminuar që në turin e parë kualifikues, me përjashtim të Partizanit.

Egnatia ishte e para që u eliminua, në turin e parë të Champions League, nga boshnjakët e Borac Banja Luka. Rrogozhinasit do të vazhdojnë në turin e dytë të Conference League.

Të enjten, mbyllën rrugëtimin europian, edhe Tirana me Vllazninë. Shkodranët u turpëruan në shtëpi, pasi u mposhtën 0-4 nga islandezët e Valur. Pavarësisht barazimit 2-2 në ndeshjen e parë, në atë të kthimit kuqeblutë zhgënjyen totalisht.

Sa i përket Tiranës, bardheblutë u mposhtën minimalisht në takimin e kthimit në “Elbasan Arena” nga gjeorgjianët e Torpedo Kutaisi. Skuadra shqiptare barazoi në ndeshjen e parë, duke pasur shanse reale për tu kualifikuar, por nuk ia doli dot dhe largohet që në turin e parë të Conference League.

Partizani ishte skuadra e vetme shqiptare që avancoi më tej. Të kuqtë kaluan në turin e dytë të Conference League, pasi mposhtën në transfertë skuadrën malteze të Marsxlokk me rezultatin 2-1, pas barazimi 1-1 në Shqipëri.

Gjithashtu, kampionët e Kosovës, Ballkani, u eliminua në turin e parë të Champions League nga skuadra e Andorrës, Santa Coloma. Malisheva u eliminua nga malazezët e Buducnost, Struga u “thye” nga sllovakët e Slovan Bratislava, Llapi nga polakët e Wisla Krakow, Deçiçi nga uellsianët e TNS dhe Shkëndija nga armenët e Noah. /tvklan.al