Opinion – A ka paguar Rusia për politikën shqiptare?

Opinion – A ka paguar Rusia për politikën shqiptare?

Autori: Blendi Fevziu

02:00 15/09/2022

#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan

Të ftuar: Agim Nesho, Baton Haxhiu, Armand Bajrami, Arben Ristani, Enita Mema, Besar Likmeta

Lobimi rus, Ristani: PD nuk miratoi asnjë marrëveshje me Nick Muzin, veprimet ishin personale të Bashës

Këtë të mërkurë në emisionin “Opinion” u diskutua rreth çështjes së lobimit rus, marrë shkas këtu nga raporti i publikuar nga inteligjenca amerikane se Rusia ka financuar në mënyrë të fshehtë 300 milionë Dollarë për parti të ndryshme në të gjithë botën. Këtu përfshihet edhe Partia Demokratike dhe sipas raportit bëhet fjalë për 500 mijë Dollarë financime ruse në zgjedhjet e 2017-s.

Arben Ristani, i cili asokohe ka qenë Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, ka mohuar që selia blu të ketë marrë para nga institucione apo individë jashtë vendit atë kohë. Po ashtu, ai theksoi se organet e PD-së nuk kanë autorizuar lidhjen e asnjë marrëveshjeje me institucione apo individë jashtë vendit. Sipas Ristanit, në rastin konkret, veprimet e kryera janë personale të ish-kryetarit Lulzim Basha.

“T’ju bëj disa pohime dhe pastaj diskutojmë. Pohimi i parë, PD në asnjë moment, në asnjë rrethanë nuk ka marrë asnjë qindarkë nga asnjë institucion apo individ jashtë vendit. Pohimi i dytë që mund t’ju bëj është që organet drejtuese të PD mbi bazën e statutit nuk kanë autorizuar lidhjen e asnjë marrëveshjeje me asnjë institucion, asnjë individ jashtë vendit. As me Nick Muzin. Pohimi i tretë… Sekretari i Përgjithshëm i Partisë  që në atë kohë kam qenë unë nuk kam menaxhuar dhe nuk ka kam firmosur asnjë dokument që ka të bëjë me menaxhim parash, asnjëherë në asnjë rrethanë, as brenda as jashtë vendit. Ç’ka të bëjë me para, kurrë, asnjëherë! Një pohim tjetër që mund t’ju bëj është që të gjitha veprimet e kryera në rastin konkret janë personale të ish-Kryetarit Basha dhe asnjë veprim nuk është autorizuar apo miratuar nga asnjë organ që sipas statutit të partisë ka pasur të drejtën të autorizojë dhe miratojë. Dhe një pohim tjetër. Çështja nuk është mbyllur. Pohimi që ju bëni që çështja është hetuar dhe është mbyllur nga prokuroria nuk është një pohim i vërtetë”, tha Ristani.

Ish-Sekretari i Përgjithshëm i PD, i cili ka qenë nën akuzë për këtë çështje, tha se u ngrit me qëllim akuza për falsifikim që dosja të pushohej.  

“Ajo që është mbyllur është akuzë për falsifikim. Akuza për falsifikim është mbyllur. Aty nuk bëhet fjalë për falsifikim, aty bëhet fjalë për pastrim parash. Prokuroria e ka nisur çështjen për pastrim parash, rrugës e ka ndryshuar në falsifikim. Sipas  prokurorisë për rastin tim për shembull, kjo do prapë një shpjegim se është term juridik. Akuza ndaj meje ishte falsifikim me mosveprim. Se si bëhet falsifikimi me mosveprim? Po ju shpjegoj që aty nuk mund të ngrije akuzë për falsifikim. Akuza për falsifikim u ngrit me qëllim që të pushohej në gjykatë. Se duhej të pushohej pra. U ngrit për t’u pushuar për të ndihmuar…”, u shpreh Ristani.

Prokuroria i nisi hetimet ndaj PD mbi dyshimet e revistës amerikane ‘Mother Johnes’ se kompania amerikane ‘Muzin Partners’ ishte paguar 675 mijë Dollarë nga kompania offshore ‘Biniata Trade’ me pronarë rusë, për të lobuar për llogari të Partisë Demokratike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por këto akuza u pushuan pas dy vitesh nga Gjykata Penale e Tiranës.

Lobimi, Ristani: Vetëm 25 mijë Dollarë kanë dalë nga PD, nuk u autorizuan sipas statutit

Raporti i publikuar nga inteligjenca amerikane se Rusia ka financuar në mënyrë të fshehtë 300 milionë Dollarë për parti të ndryshme në të gjithë botën ishte tema e diskutimit këtë të mërkurë në emisionin “Opinion” . Në raportin e publikuar përfshihet edhe Partia Demokratike.

Bëhet fjalë për 500 mijë Dollarë financime nga Rusia për PD-në në zgjedhjet e vitit 2017, por Arben Ristani ka mohuar që selia blu të ketë marrë para nga institucione apo individë jashtë vendit atë kohë.

Ristani u shpreh se nga PD kanë dalë 25 mijë Dollarë, por nuk kanë dalë të autorizuara sipas statutit nga Partia Demokratike.

Ai theksoi se organet e PD-së nuk kanë autorizuar lidhjen e asnjë marrëveshjeje me institucione apo individë jashtë vendit. Sipas Ristanit, në rastin konkret, veprimet e kryera janë veprime personale të ish-Kryetarit Basha të paautorizuara nga organet drejtuese të PD-së.

Arben Ristani: Ju thashë që Partia Demokratike nuk ka marrë asnjë cent nga shtete apo individë jashtë Shqipërisë. Në arkën e Partisë Demokratike nuk është bërë hyrje asnjë cent.

Blendi Fevziu: Hyrje me letra apo pa letra?

Arben Ristani: Në hyrje në bankë. Se sa para ka kryetari në çantën e vetë apo në xhep, unë nuk di të them. Në Partinë Demokratike nuk është bërë hyrje asnjë cent. Për sa i përket lobimit apo rastit konkret janë 675 mijë Dollarë. 500 mijë thotë zotëria i ka marrë nga shqiptarët.

Blendi Fevziu: Shqiptarët e Amerikës që bëjnë fund-rising, po i derdhin në një bankë amerikane, pse duhet të shkojnë në një bankë në Skoci që të kthehen prapë në Amerikë?

Arben Ristani: Janë 150 që janë te kjo kompani dhe janë 25 që kanë dalë nga PD-ja.

Blendi Fevziu: Ja pra paskan dalë 25!

Arben Ristani: Por ato 25 që kanë dalë nuk kanë dalë të autorizuara sipas statutit nga Partia Demokratike.

Blendi Fevziu: Po kanë dalë pra 25. Po po 150 nga kanë dalë?

Arben Ristani: 150 s’ka të bëjë PD-ja me to dhe 500 nuk ka të bëjë PD-ja me to.

Blendi Fevziu: Po nga dolën?

Arben Ristani: Prandaj ju bëra pohimin tjetër. Janë veprime personale që nuk janë autorizuar sipas statutit  të organeve drejtuese të PD-së.

Paratë ruse, Nesho: 3 veprimet që kompromentojnë Bashën

Raporti i publikuar nga inteligjenca amerikane se Rusia ka financuar në mënyrë të fshehtë 300 milionë Dollarë për parti të ndryshme në të gjithë botën ishte tema e diskutimit këtë të mërkurë në emisionin “Opinion” .

Sipas raportit një nga partitë që ka përfituar nga këto financime të Rusisë është edhe Partia Demokratike. Për këtë veprim është lakuar emri i ish-kryetarit të PD-së, Lulzim  Basha.

I ftuari në emisionin ”Opinion”, Agim Nesho shprehet se e vërteta do të dalë në dritë. Gjithsesi ai shton se ish-kryetari i PD-së ka kryer veprime të cilat mund të jenë kompromentuese për të.

Agim Nesho: Neve pa i rënë në qafë njeriu kjo do dalë në dritë, janë dy palët që do e zgjidhin, por Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vënë alarmin për influencën e Rusisë në Ballkan. Unë them vetëm një gjë që veprimet e tij pas 17-ës e komprometojnë në një farë mënyre. Sepse bëri tre veprime që fuqizoi çështjen e pushtetit të njëanshëm të zotit Rama. Të cilët ishin, kapja e drejtësisë, ikja nga parlamenti dhe bojkoti i zgjedhjeve lokale.

Blendi Fevziu: Vetëm se Nesho, unë nuk e di nga vijnë lekët, por një politikan shqiptar që luan për interesat e Rusisë siç e tha Batoni është thuajse e pamundur. Pse Shtetet e Bashkuara të Amerikës e vënë gishtin drejt Shqipërisë një vend ku influenca ruse e drejtpërdrejtë është thuajse zero.

Agim Nesho: Interesi e Rusisë, ishte që të realizonte një skenar ku të rikthehej si fuqi botërore dhe me Trumpin  ishte e gatshme për t’u bërë  ajo që amerikanët e quajnë ‘grandburger”. Domethënë të ulen në tavolinë, ku gjithçka negociohet sipas Trump-it. Ky ishte skenari që Rusia ka pasur interes në Ballkan. Prandaj i preferuar i saj nuk është Basha, i cili provoi nga këto veprime, është Rama, atë kërkon që ta ndihmojë që të mbetej si garantor i këtij projekti me Vuçiçin.

Blendi Fevziu: Ti po thua për të ndihmuar Ramën futi agjent Lulin?

Agim Nesho: Jo jo, një minutë, unë them njerëzit edhe vetë afrohen se mund të ketë një divizion social. Kemi edhe gjëra të porositura, në këtë aferë janë futur edhe organe shumë të involvuar. /tvklan.al





Të ngjashme

Autori: Blendi Fevziu

02:00 15/09/2022