#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan Emisioni politik më i ndjekur dhe më i preferuar në ekranet shqiptare. “Opinion” vjen në katër takime çdo javë – e hënë, e martë, e mërkurë dhe takimi tradicional i të enjtes mbrëma.

I ftuar: Samir Mane


Samir Mane, njëri prej njerëzve më të pasur në Shqipëri, presidenti i Balfin Group dhe presidenti i Mane Foundation, pak kohë më parë festoi 30 vjetorin e themelimit të kompanisë Balfin Group. Bëhet fjalë për një kompani e cila u regjistruar për herë të parë në Austri, në vitin 1993. Mane vetë qëndroi në këtë vend deri në vitin 2006, pra pas 13 vitesh u largua nga Austria dhe tashmë prej 17 vjetësh ndodhet në Shqipëri. Është jo vetëm një nga njerëzit më të pasur në Shqipëri, jo vetëm zhvilluesi i disa prej projekteve më të mëdha në Shqipëri, por njëkohësisht dhe përfaqësuesi i një vizioni ndryshe të biznesit.

Samir Mane, ka dhënë një intervistë të gjatë për emisionin “Opinion”, në të cilën ka një shikim të plotë të gjithë karrierës, jetës e projekteve të tij, të mënyrës sesi u largua nga Shqipëria si një emigrant në Dhjetor të vitit 1990, për t’u vendosur në Austri prej nga u kthye milioner.

Cilat ishin momentet e para të biznesit të tij? Si arriti një emigrant në Austri shumë shpejt të gjejë rrugën e biznesit dhe në më pak se 2 vjet e gjysmë të shndërrohet në një milioner? Çfarë është kompania e tij dhe cili ka qenë suksesi më i madh i këtyre 30 viteve? Ku janë bizneset që ai ka ngritur? Pjesa më e madhe e tyre janë të shpërndara tashmë nëpër botë dhe një pjesë në Shqipëri. Pjesa më e madhe e bizneseve janë jashtë Shqipërisë, një pjesë pak më e vogël sa ajo jashtë është në Shqipëri. Është shumë interesante sepse ai shtrihet në disa fusha, siç janë shitjet me pakicë dhe shumicë, investime, etj.

Rrëfimi i Samir Manes është tejet interesant dhe tregon sesi një djalë i ri i cili largohet nga Shqipëria në moshën 22-23 vjeçare dhe kthehet milioner diku tek mesin e të 30-ave. Një rrëfim kryesisht personal, por njëkohësisht është dhe një rrugëtim i vetë zhvillimit të Shqipërisë së këtyre viteve. Për më shumë, ndiqni intervistën e plotë të Samir Manes në Opinion.

Mane tregon raportin me fëmijët dhe këshillën që u ka dhënë

Sipërmarrësi i njohur shqiptar Samir Mane ka folur këtë të Enjte në “Opinion” dhe për raportin e tij me 4 fëmijët. Ai thotë se është mjaft i gëzuar për arritjet e tyre deri më tani dhe këshilla e tij e vetme është që të qëndrojnë me këmbë në tokë.

-Për çfarë studiojnë  fëmijët?

Samir Mane: Njëri ka mbaruar master business-administration në Amerikë, një tjetër vazhdon në Londër në universitet dhe dy të tjerët janë në gjimnaz.

-Cili nga djemtë duket më i angazhuar me biznesin?

Samir Mane: Akoma është vështirë ta them, por duket që të dy të mëdhenjtë do shkojnë drejt fushës së biznesit, të vegjëlit akoma nuk i parashikoj dot.

-Cilat janë raportet tuaja me fëmijët?

Samir Mane: Shumë normale, shpenzoj shumë kohë me ta.

-E kuptojnë rrugëtimin tuaj, nga çfarë varfërie e keni nisur?

Samir Mane: Mundohem t’ua tregoj, natyrisht nuk e kuptojnë shumë. Shpresoj për ata që të zgjedhin rrugën e duhur, sipas dëshirës së tyre.

-Ndonjë këshillë që u ke dhënë ose që do të doje t’u jepje?

Samir Mane: Të qëndrojnë këtu ku janë, me këmbë në tokë!

-Është e vështirë të qëndrosh me këmbë në tokë?

Samir Mane: Si fëmijë i një babai të pasur mund të ketë vështirësitë e veta, por jam i gëzuar që janë aty ku janë.


Samir Mane: Punoj deri në 12 orë në ditë, drekën e ha në zyrë

Samir Mane ishte mbrëmjen e kësaj të enjteje në një intervistë tejet interesante në emisionin “Opinion”. Sot një prej njerëzve më të pasur në Shqipëri, për gazetarin Blendi Fevziu, ai foli si për jetën profesionale, ashtu sikurse edhe për atë personale. Teksa u ndal tek pasionet, Mane tha: “E vetmja gjë ku nuk jam në punë reale, janë udhëtimet”. Po ashtu biznesmeni rrëfeu se qëndron në zyrë duke punuar deri në 12 orë në ditë dhe se në 95 përqind të rasteve drekën e konsumon po në zyrë.

Cilat janë vendet që të kanë tërhequr, përtej vendeve shumë të njohura?

Të panjohura Afrika padyshim është një nga gjërat që më ka impresionuar dhe vazhdoj të kem kujtime shumë të mira, Islanda, por edhe vende të tjera si Panama, Laos, etj.

Që janë vende që një turist normal, sidomos në Laos nuk para shkojnë, sidomos nga Shqipëria.

Kamboxhia, Vietnam e plot të tjera…

Janë pjesë e pasionit tuaj?

Janë pjesë e pasion dhe besoj që ajo është gjëja që do më shoqërojë për gjatë.

Cilat janë pasionet e tjera?

Udhëtimi është gjëja më… Në një ditë timen normale, çohem në mëngjes, shkoj në punë. 95 përqind të rasteve ha drekë në zyrë.

Sa kohë të merr zyra?

Unë jam i vetëpunësuar, që punoj diku tek 10 orë, 12 orë në ditë.

10-12 orë në ditë? Je domethënë i zënë në zyrë, llogarit dhe pjesën tjetër, mund të jenë në takime që kanë lidhje po me punën.

Sidomos në Shqipëri ku pak ndahet puna me qejfin…

Dhe udhëtimet mbeten një pasion.

E vetmja gjë ku nuk jam në punë reale, në zyrën time, janë udhëtimet.


Mane tregon projektet ambicioze të së ardhmes, cila është vlera e tyre?

Investime brenda dhe jashtë vendit, janë në listën e projekteve të ardhshme të Samir Manes. Biznesmeni i njohur ka rrëfyer këtë të Enjte në “Opinion” se në Shqipëri do vijojë me “Green Coast 2”, “Green Coast 3” si dhe me ndërtimin e 800 vilave njëkatëshe në një tjetër zonë të vendit për pensionistët.

E ndërsa jashtë Shqipërisë, ai thotë se projektet më madhore i takojnë Austrisë.

-Kush janë projektet më të mëdha të së ardhmes që ju keni?

Samir Mane: Projektet më të mëdha të së ardhmes janë padyshim “Green Coast 2” dhe “Green Coast 3”, investimet që po parashikojmë dhe po studiojmë të bëjmë…

-Sa shkojnë në total?

Samir ManeTë dyja mund të shkojnë te 350 mln Euro.

-Po kjo që keni bërë sa ka shkuar?

Samir Mane: Diku te 150 milionë.

-Pra në total shkon në 500 milionë në Palasë?

Samir Mane: 500 milionë minimumi.

-Po si vlerë prone sa shkon?

Samir Mane: Duke menduar shifrat e tanishme të shitjes, shkon në 750 milionë. E gjitha! Po ajo rritet. Mund të shkojë dhe në 1 miliardë. Investime të tjera po parashikoj në një zonë tjetër të Shqipërisë, jo larg nga këtu, për Retirement Home quhen për njerëz që dalin në pension, diku te 800 vila njëkatëshe që do t’i shërbejnë kryesisht njerëzve që duan të pensionohen në një zonë të bukur si Shqipëria, në breg të detit. Do vijnë dhe nga Europa e Perëndimi. Austria është më e madhja për investimet jashtë. Do kemi projekte në Shkup dhe të tjera në progres.


Mane: 2% të asaj që fitoj i marr në shtëpi, të tjerat i riinvestoj

Që rrugëtimi në biznes të jetë sa më i gjatë dhe i suksesshëm duhet padyshim të investosh herë pas here dhe të marrësh vetëm pak nga fitimi për shpenzime personale. Kështu ka deklaruar këtë të Enjte në “Opinion” në Tv Klan, sipërmarrësi i njohur Samir Mane.

Ai thotë se nga gjithë fitimi i tij, merr në shtëpi vetëm 2% dhe gjithë pjesën e mbetur e riinveston.

-A është e drejtë që secili nga ne të taksohet njësoj?

Samir Mane: Në vlerë absolute, nëse unë fitoj 100 mln, paguaj 23 mln. E shoh që shpesh herë ngatërrohet, nuk paguajmë njësoj

-Po patjetër, në bazë të të ardhurave.

Samir Mane: Këto janë forma dhe mënyra që në këtë sistem që kemi zgjedhur të tilla janë, me ato që unë fitoj vetëm 2% i marr në shtëpinë time për të ngrënë, për të jetuar, për të studiuar fëmijët. Të gjitha të tjerat i riinvestoj!  Vetëm 2% janë shpenzime, të gjitha të tjerat i riinvestoj që do të thotë më shumë vende pune, më shumë ekonomi për Shqipërinë, për njerëzit. Pasuria ime tashmë është një e mirë publike.


Mane: Zgjidhja që kompania jonë ka gjetur që punonjësit të mos largohen

Sipërmarrësi i njohur Samir Mane ka treguar këtë të Enjte në Opinion se ka gjetur metodën efektive që punonjësit të mos largohen nga kompania e tij për një vend pune në një shtet tjetër.

Ai thotë se sistemi i tyre që rrit pagat apo u jep bonuse, duke përllogaritur dhe sa u ngelet punonjësve në fund të muajit, ka rezultuar i suksesshëm.

-Shqipëria ka plagë largimin e njerëzve të kualifikuar, jo vetëm krahut të punës tashmë. Sot një i ri arrin që online të aplikojë për vend pune, ta fitojë, Gjermania ka vende bosh. A janë një problem ikjet?

Samir Mane: Natyrisht ikjet janë një problem. Është një problem që ka ndodhur vitet e fundit kudo, ndodh. Ata do të shkojnë në vende që mendojnë se fitojnë më shumë, kur Gjermania thotë më duhen 3 mln njerëz dhe kur njerëzit shohin rrogat, padyshim që mendojnë se atje duhet shkuar. Nuk ka një formulë për ta zgjidhur. Ne kemi shumë pak ikje, për arsye të të gjithë sistemit që kemi ndërtuar, të pagesave, bonuseve.

-Ju si kompani?

Samir Mane: Ne kemi shumë pak ikje, por shqetësimi im është jo vetëm se ikja e njerëzve nga kompania ime jashtë për të punuar, por edhe si konsumator, gjithashtu një pjesë e rëndësishme e gjësë. Por, unë besoj që edhe do ikin, edhe do kthehen, natyrisht politika ka punën e vet.

-Sa i ka kushtuar kjo tentativë kompanisë për të mbajtur njerëzit?

Samir Mane: Kushton, kemi rritur rrogat dhe vazhdojmë të rrisim rrogat dhe bonuset. Arsyetimi jonë është sa do u ngelet në fund të muajit, pra jo sa do marrësh në Gjermani, kemi një sistem që themi sa do ngelet në Gjermani për të njëjtën punë. Këtu kemi arritur të kemi sukses dhe të kemi shumë pak ikje të njerëzve tanë.


Mane: Nuk kam asnjë ambicie politike, zhvillimi i Shqipërisë më intereson mua ndoshta më shumë se politikanëve  

Biznesmeni i suksesshëm shqiptar Samir Mane ka deklaruar këtë të Enjte në “Opinion” në Tv Klan se nuk ka asnjë lloj ambicieje në politikë. Ai thotë se biznesi i tij tashmë është i përhapur në rajon dhe Evropë e me shumë mundësi në të ardhmen në botë, e rrjedhimisht nuk ka si objektiv politikën.

-Cilat janë raportet tuaja me politikën?

Samir ManeNuk kam ndonjë raport special, njerëzit thonë mirë me këtë, mirë me atë.

-Ju duhet ta keni mirë, përderisa merreni me biznes…

Samir Mane: Padyshim, një gjë është e sigurt që zhvillimi i Shqipërisë më intereson mua po aq sa u intereson gjithë politikanëve të vendit, ndoshta dhe më shumë. Se ata mbarojnë zgjedhjet, shkojnë në punë të vet, unë këtu do jem.

-A kanë qenë korrektë me ju Berisha si kryeministër, Rama si kryeministër, pra kryetarët e bashkive gjatë këtyre viteve që jeni në Shqipëri?

Samir Mane: Përsa kohë unë nuk kam marrëdhënie me shtetit, natyrisht marrëdhëniet janë më të mirat. Nuk kam tendera publikë, është zgjedhja ime. Për “Neptunin”, “Jumbo”, TEG-un” e këto nuk më duhet politika, padyshim jam i vëmendshëm ndaj politikës.

-Ndërkohë vetë, a keni ambicie politike?

Samir ManeNuk kam dashur të hyj në politikë.

-Keni pasur oferta?

Samir Mane: Edhe mund të thuhet ndonjë llaf andej këtej, por s’kam asnjë ambicie politike. Biznesi im nuk është vetëm Shqipëria, por rajoni, Evropa dhe ndoshta bota. Kështuqë s’kam asnjë lloj ambicie.

Mane flet për projektin “Vlora Marina”: Do jetë vendi ku jeta detare do të bëjë ndryshimin

Sipërmarrësi i njohur shqiptar Samir Mane në një intervistë për “Opinion” këtë të Enjte ka folur për projektet e tij në Shqipëri. Ai është ndalur dhe te “Vlora Marina” e cila padyshim do jetë mjaft tërheqëse për turistët.

Mane theksoi se në këtë projekt do të jetë jeta detare ajo që do të bëjë diferencën.

-Jeni të përqendruar dhe te “Vlora Marina” e cila pritet të jetë një nga perlat e investimeve turistike në Shqipëri. Çfarë koncepti do ketë “Vlora Marina” dhe ku ndryshon nga koncepti i këtushëm?

Samir Mane: “Vlora Marina” nuk janë vila e apartamente dykatëshe, janë godina më të larta, por natyrisht “Vlora Marina” do jetë një vend ku jeta detare do ta bëjë ndryshimin.

-Pra, prania e anijeve, varkave, jahteve.

Samir Mane: Janë 435 jahte…

-435 vende parkimi?!

Samir Mane: Puna ka filluar, Vlora është unike pothuajse në Shqipëri, por edhe më gjerë për fasilitetet që jep në raport me jetën e marinës. Flasim për 120 plazhe private, brigje dhe mundësi që njerëzit të kenë një jetë marine shumë të bukur.  Vlora është unike në këtë drejtim!


Samir Mane rrëfen projektet e tjera ambicioze për investime në Palasë

Dikur zonë e shkretë, ndërsa sot një resort fantastik vilash luksoze në Palasë, falë investimit të sipërmarrësit të njohur shqiptar Samir Mane.

Në një intervistë për Blendi Fevziun në “Opinion” Mane thotë se ka ende projekte të tjera për këtë zonë të cilat do të aplikohen shumë shpejt. Ai vuri theksin te hotelet me 5 yje për të cilat u shpreh i bindur se do të njihen ndërkombëtarisht dhe do t’i shërbejnë turizmit në vend.

Samir Mane: Tani kemi filluar fazat e reja të hotelit “Akor”, shumë shpejt hoteli ”Hayat”, “Gran Melia” gjithashtu shumë shpejt.

-“Hayat”, “Em Galery”, “Gran Melia”…Këtu në këtë zonë? Sa hotele do jenë?

Samir Mane: Do të jenë 7 hotele në këtë zonë. Të certefikuar me 5 yje deri tani që kanë marrë licensë janë 3.

-Që kanë marrë international brand-name.

Samir Mane: Natyrisht hotelet e tjera mund të jenë me 5 yje, edhe nëse s’kanë brand name, por e sigurt që gjatë rrugës dhe ata do të marrin brand name.


Sot milioner, Samir Mane kujton jetën në “Qytetin Studenti”

Samir Mane është një ndër njerëzit më të pasur në Shqipëri, një biznesmen e sipërmarrës tejet i suksesshëm. Por siç edhe shpesh ka treguar, Mane nuk lindi i pasur, por u bë i tillë. Madje në intervistën e dhënë për gazetarin Blendi Fevziu, biznesmeni tregon edhe për jetën në “Qytetin Studenti”, që siç shprehet e kujton me nostalgji.

Si ishte jeta në Qytetin Studenti? E varfër, modeste?

E varfër, por e bukur. Jeta e studentit në çdo vend është e bukur. Kemi kaluar mirë. Natyrisht për shkak të këtyre gjërave të vogla, me pak ekonomi më të mirë…

Domethënë e kujtoni me një lloj nostalgjie?

E kujtoj me nostalgji dhe shokë të vjetër kam, i takoj vazhdimisht edhe nga kjo.


Mane tregon historinë me xhaxhain që punoi për shërbimet sekrete amerikane: Hyri 6 herë diversant në Shqipëri

Biznesmeni i njohur shqiptar Samir Mane ka ndarë këtë të Enjte në një intervistë për Blendi Fevziun në “Opinion” dhe historinë e veçantë të xhaxhait të tij.

Mane rrëfen se xhaxhai i tij, i cili fatkeqësisht ka ndërruar jetë para pak vitesh kishte punuar në vitet e komunizmit për shërbimet sekrete të Amerikës. Ai shton se xhaxhai i tij hyri në Shqipëri 6 herë si diversant.

-Xhaxhai juaj ishte një prej njerëzve që ka punuar për shërbimet sekrete amerikane dhe ka hyrë gjatë viteve të komunizmit në Shqipëri?

Samir ManeKa hyrë 6 herë diversant në Shqipëri. Ka vdekur para disa vitesh në moshën 100-vjeçare.

-Jetoi deri vonë, e arriti dhe rrëzimin  e komunizmit?

Samir Mane: E arriti dhe u gëzua shumë. Ai ka qenë një nga njerëzit që edhe në fillim më ka ndihmuar kur mbërrita në Austri, me gjëra të vogla.

-Ju ruheshit ta thonit këtë që xhaxhai ishte arratisur nga Shqipëria?

Samir Mane: Po ne prej tij kemi vuajtur, sepse nuk ishte një kushëri, por vëllai i babait i arratisur dhe aktiv kundrejt Shqipërisë.


Samir Mane: Kompania ime ka 1.4 mld Euro asete, por prapë nuk mund të quhem miliarder

Samir Mane tregon në një intervistë për gazetarin Blendi Fevziu, në Opinion, se kompania e tij Balfin Group ka rreth 1.4 miliardë euro asete. Por a mund të konsiderohet ai miliarder? Mane thotë se jo dhe shpjegon edhe përse.   

A ka miliarderë shqiptarë?

Nuk e di a ka, apo s’ka. Por përcaktimi miliarder është i qartë. Bloomberg Index ose Forbes, janë dy institucione të cilat certifikojnë miliarder. Pra kush kërkon që të certifikohet në Forbes atëherë shkon paraqet pasqyrat e veta financiare, ata bëjnë një audit dhe padyshim pastaj vendosin të të fusin në Forbes.

Edhe ju personalisht jeni përfolur disa herë nga shtypi, mos gaboj në Singapor jeni klasifikuar si i tillë. A jeni ju një miliarder në kuptimin klasik të fjalës?

Për sa kohë certifikimet mungojnë dhe për sa kohë unë nuk kam kërkuar të kem një certifikim të tillë, nuk jam një miliarder. Ideja është që kur unë të kem dëshirën e para dhe dokumentacionin për t’ia çuar këtyre institucioneve dhe ata i certifikojnë, atëherë mund të quhem një i tillë. Natyrisht që në shifrat publike, kompania ka rreth 1.4 miliardë euro asete.

1.4 miliardë? Këtë doja t’ju pyesja, sepse shqiptarët kujtojnë që te lista e miliarderëve, ti duhet të kesh një 1 miliardë dollarë ose në bankë ose nën krevat. 1.4 miliardë llogariten asete, vlera e kompanisë…

Për të qenë miliarder, në rastin e Shqipërisë duhet të kesh 1 miliard e 230 milionë që të quhesh miliarder.

1 miliard e 230 milionë që të ikë edhe taksa…

Aty natyrisht hyjnë pasuritë, avionët, shtëpitë, makinat, orët, etj.

Çdo aset, privat ose i kompanisë.

Të gjitha vlerësimet e kompanive. Ka një metodologji të qartë të përcaktuar nga këto dy institucione.


“Balfin” në Shtator edhe në SHBA, Samir Mane zbulon se me çfarë do të merret kompania

E krijuar në vitin 1993 në Vienë të Austrisë, “Balfin Group” operon në 9 shtete të Evropës.

Presidenti i kësaj kompanie, sipërmarrësi i njohur shqiptar Samir Mane ka treguar këtë të Enjte në “Opinion” se “Balfin” do të jetë që nga Shtatori prezent dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Do ndërtojmë shtëpi në Amerikë“, theksoi Mane.

-Në sa vende është i shtrirë aktualisht “Balfin Group”?

Samir Mane: Aktualisht është i shtrirë në 9 vende, së shpejti në Shtator do të jemi në vendin e 10-të. Është një kompani tashmë multi-funksionale.

-Në cilat vende jeni?

Samir Mane: Shqipëri, Maqedoni, Kosovë, Kroaci, Mal i Zi, Bosnje, Austri, Holandë, Zvicër…

-Dhe vendi i 10-të?

Samir Mane: Vendi i 10-të është Amerika, nga Shtatori do të jemi me aktivitet atje.

-Me se do të merret “Balfin” në Amerikë?

Samir Mane: “Balfin” në Amerikë do të merret me Real State, do fillojnë projektet e para në Shtator.

-Do ndërtoni shtëpia në Amerikë?

Samir Mane: Do ndërtojmë shtëpi në Amerikë, po! Kemi gjetur vendet, po studiojmë, aty janë lejet më të kollajshme. Amerika është një nga vendet me mundësitë reale dhe qartësinë e madhe të biznesit


“Vetëm në New York 100 shqiptarë me mbi 100 mln Dollarë”

Sipërmarrësi i njohur shqiptar Samir Mane ka deklaruar këtë të Enjte në një intervistë për Blendi Fevziun në “Opinion” se shqiptarët janë faktor në planet sa i takon biznesit.

Sipas Manes, vetëm në New York bazuar në statistika zyrtare, janë 100 shqiptarë me mbi 100 mln Dollarë pasuri.

-Ju keni udhëtuar shumë, mesa di keni kontakte me pjesën më të madhe të biznesmenëve shqiptarë në botë, a ka realisht shumë biznesmenë milionerë shqiptarë? Që merren me biznese të mëdha, jo me gjëra shumë të vogla.

Samir Mane: Unë mendoj që ka shumë, që po bëhen shumë dhe janë në rrugën më të duhur. Shqiptarët në planet po “shpërthejnë”, po me aftësinë që kanë sigurisht.

-Janë emigrantë që kanë ikur nga Shqipëria, apo janë fëmijë të emigrantëve të lindur e rritur andej?

Samir Mane: Janë kryesisht brez emigrantësh që kanë ikur, natyrisht dhe të rinj që po punojnë dhe po integrohen në Perëndim. Zvicra është perfekt, Amerika është perfekt!

-Ka shumë milionerë shqiptarë, fusni dhe shqiptarë të Kosovës besoj?

Samir Mane: Padyshim Zvicra është një nga vendet ku shqiptarët kanë pasur shumë prosperitet, por sipas statistikave vetëm në New York mund të ketë 100 shqiptarë me mbi 100 mln dollarë.


Sa biznese shqiptare ka në botë? Samir Mane tregon shifrën e pabesueshme

Në intervistën për gazetarin Blendi Fevziu, Samir Mane zbuloi se në botë përllogaritet që të jenë rreth 160 mijë biznese shqiptare. Këtë biznesmeni e zbuloi teksa foli për iniciativën e tij më të fundit, një platformë online, që ka si synim të lidhë bizneset shqiptare kudo ndodhen në botë, me qëllimin që të kenë mundësinë të komunikojnë me njëri-tjetrin.

Para pak kohësh lexova që po tentoni të ndërtoni një platformë online, dixhitale për të bashkuar të gjithë bizneset shqiptare në botë, çfarë është tamam?

Kjo është një platformë që besoj do ta nxjerrim në Tetor, jemi duke regjistruar të gjithë kompanitë shqiptare që kanë mbi 51 %…

Me pronarë shqiptarë?

Po. Mbi 51 % me pronarë shqiptarë dhe që kanë mbi 5 të punësuar. Kemi filluar një regjistrim paraprak. Është një platformë që do të funksionojë gratis, pa lekë.

Në të gjithë botën?

Në të gjithë botën, nga Zelanda e Re në Alaskë.

Ju po tentoni të vendosni një database të bizneseve shqiptare mbi 51 përqind në pronësi shqiptare dhe mbi 5 punëtorë, në të gjithë globin?

Po në të gjithë globin.

Keni një shifër të përafërt sa mund të jenë biznese shqiptare?

Rreth 160 mijë mendojmë që të kemi.

160 mijë biznese shqiptare të shpërndara në botë sot?

Po, nga një që ka një piceri, te një që ka fabrika dhe ndërtim, pra kudo do jetë e shtrirë kjo. Shumë shpejt besoj do ta nxjerrim platformën.

Por përse vlen kjo si platformë?

Këtë model e kam parë nga një kompani izraelite, e cila nuk është në këtë formë siç po e bëjmë ne. Por padyshim, konektiviteti i tyre për biznesin është i çuditshëm.

Pra kjo u vlen atyre për të komunikuar me njëri-tjetrin?

Për të komunikuar me njëri-tjetrin, por në praktikën më të thjeshtë, nëse dikush bën tjegulla në Neë York dhe një njëri kërkon që të marrë tjegulla padyshim që do ta kthejë të aksesueshme në platformë që t’i gjejë tek ai shqiptar. Nëse i blen apo jo pastaj është tjetër gjë, nëse është i njëjti kualitet, i njëjti çmim etj, por eventualisht do mundohemi që këto 160 mijë biznese t’i lidhim me njëri-tjetrin.

Të lidhen me njëri-tjetrin në mënyrë që të shfrytëzojnë sinergjinë e njëri-tjetrit…

Kjo është pa pagesë, regjistrimi do bëhet pa pagesë dhe shpresojmë që kjo të funksionojë, që shqiptarët në të gjithë planetin të kenë mundësinë të komunikojnë.

Është e shtrenjtë si sipërmarrje?

Do shkojë diku tek 500 mijë euro vetëm investimi fillestar, pastaj padyshim, mirëmbajtja po ashtu do ketë pjesën tjetër.


Platforma që lidh bizneset shqiptare në botë, Samir Mane shpjegon iniciativën dhe synimet e tij

Biznesmeni dhe sipërmarrësi i mirënjohur Samir Mane, në një intervistë për gazetarin Blendi Fevziu në emisionin Opinion, tregoi për iniciativën e tij më të re. Bëhet fjalë për një platformë online e cila synon që të lidhë bizneset shqiptare kudo që ndodhen nëpër botë. Platforma, e cila pritet të dalë në Tetor, do të jetë pa pagesë. Por çfarë synon konkretisht Samir Mane me anë të saj?

Para pak kohësh lexova që po tentoni të ndërtoni një platformë online, dixhitale për të bashkuar të gjithë bizneset shqiptare në botë, çfarë është tamam?

Kjo është një platformë që besoj do ta nxjerrim në Tetor, jemi duke regjistruar të gjithë kompanitë shqiptare që kanë mbi 51 %…

Me pronarë shqiptarë?

Po. Mbi 51 % me pronarë shqiptarë dhe që kanë mbi 5 të punësuar. Kemi filluar një regjistrim paraprak. Është një platformë që do të funksionojë gratis, pa lekë.

Në të gjithë botën?

Në të gjithë botën, nga Zelanda e Re në Alaskë.

Ju po tentoni të vendosni një database të bizneseve shqiptare mbi 51 përqind në pronësi shqiptare dhe mbi 5 punëtorë, në të gjithë globin?

Po në të gjithë globin.

Keni një shifër të përafërt sa mund të jenë biznese shqiptare?

Rreth 160 mijë mendojmë që të kemi.

160 mijë biznese shqiptare të shpërndara në botë sot?

Po, nga një që ka një piceri, te një që ka fabrika dhe ndërtim, pra kudo do jetë e shtrirë kjo. Shumë shpejt besoj do ta nxjerrim platformën.

Por përse vlen kjo si platformë?

Këtë model e kam parë nga një kompani izraelite, e cila nuk është në këtë formë siç po e bëjmë ne. Por padyshim, konektiviteti i tyre për biznesin është i çuditshëm.

Pra kjo u vlen atyre për të komunikuar me njëri-tjetrin?

Për të komunikuar me njëri-tjetrin, por në praktikën më të thjeshtë, nëse dikush bën tjegulla në New York dhe një njëri kërkon që të marrë tjegulla padyshim që do ta kthejë të aksesueshme në platformë që t’i gjejë tek ai shqiptar. Nëse i blen apo jo pastaj është tjetër gjë, nëse është i njëjti kualitet, i njëjti çmim etj, por eventualisht do mundohemi që këto 160 mijë biznese t’i lidhim me njëri-tjetrin.

Të lidhen me njëri-tjetrin në mënyrë që të shfrytëzojnë sinergjinë e njëri-tjetrit…

Kjo është pa pagesë, regjistrimi do bëhet pa pagesë dhe shpresojmë që kjo të funksionojë, që shqiptarët në të gjithë planetin të kenë mundësinë të komunikojnë.

Është e shtrenjtë si sipërmarrje?

Do shkojë diku tek 500 mijë euro vetëm investimi fillestar, pastaj padyshim, mirëmbajtja po ashtu do ketë pjesën tjetër.


Prej 30 vitesh partneritet me “Samsung”, Samir Mane rrëfen si krijoi kompaninë e parë

Sipërmarrësi i suksesshëm Samir Mane ka rrëfyer përmes një interviste për “Opinion” në Tv Klan si nisi rrugëtimi i tij në biznes. Ai thotë se viti 1993 shënon krijimin e kompanisë së tij të parë të quajtur Alba-Trade të regjistruar në Austri, e cila merrej me transport dhe pajisjet elektroshtëpiake.

Sot e kësaj dite, Mane thekson se kompania e tij është mjaft e suksesshme dhe operon në shumë shtete të botës. “Kemi nisur me Samsung-un në ’93-in dhe ndoshta jam i vetmi partner që ka ekzistuar 30 vjet me një kompani”, theksoi biznesmeni.

-Duket se nga fundi i vitit 1991 ju filluat t’i futeshit biznesit, në ’93-in si ju lindi ideja për Alba Trade-in?

Samir Mane: Pasi grumbullova disa para mendova se mënyra e vetme më e mirë është që të strukturohem dhe të bëj një kompani. Krijova Alba-Trade në vitin 1993, me të njëjtin biznes, me transport dhe pajisje elektroshtëpiake, i cili vazhdon edhe sot pas 30 vjetësh shumë i suksesshëm.

-Kompani e regjistruar në Austri, apo edhe në Shqipëri?

Samir Mane: Në Austri! Kompania është regjistruar në Austri dhe natyrisht kur nisa të importoj në Shqipëri m’u desh ta regjistroj. Kompania e parë është në Austri.

-Dhe kompania vijon të jetë e regjistruar dhe pas 30 vitesh?

Samir Mane: Po. Unë jam 100% aksioner i kompanisë, bën mbi 100 mln Euro në vit xhiro, pa pasur asnjë lidhje me Shqipërinë. Kemi filluar me dy projekte të mëdha në Austri dhe do vijojmë të tretin me ndërtime rezidencash që po shkon shumë mirë.

-Si arriti kompania të shtrihej në shtetet e tjera të Lindjes?

Samir Mane: Vetëm një biznes, elektroshtëpiakët. Ata njerëz që vinin në magazinat tona, vinte një hungarez, pastaj një polak, pastaj një çek, fillova të lidhem me ta.

-Deri në vitin 2005 thatë që biznesi juaj kryesor ishin elektroshtëpiaket. Në çfarë vende të tjera të botës u shtritë deri në atë kohë, mos gaboj keni qenë dhe në Hong-Kong dhe Dubai.

Samir ManePo, po kemi pasur zyra blerjeje. Krijuam bazat aty dhe me ndërmjetës filluam të blenim vetë mallrat. Kemi nisur me Samsung-un në ’93-in dhe pas 30 vjetësh ndoshta jam i vetmi partner që ka ekzistuar 30 vjet me një kompani. Jemi partner për Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë, aty ku kemi aktivitetet tona elektroshtëpiake./tvklan.al