Opinion – Kush do të jetë kandidati i PD-së për Tiranën?


Opinion – Kush do të jetë kandidati i PD-së për Tiranën?

Autori: Blendi Fevziu

01:22 02/12/2022

#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan

Në studio: Belind Këlliçi, Gert Bogdani, Ilir Alimehmeti, Adriana Kalaja, Enkeleida Fejzo, Fatmir Merkoçi, Julian Deda, Baton Haxhiu, Redi Shehu

Adriana Kalaja: Nëse do jem kryetare e Bashkisë Tiranë, do shkatërroj me tritol kullat pa leje

Kandidiatja për primaret e PD-së për Bashkinë e Tiranës, Adriana Kalaja është shprehur se nëse do të jetë kryetare e kësaj bashkie, do të shkatërrojë me tritol kullat pa leje.

E ftuar në emsionin “Opinion” në Tv Klan, Kalaja thotë se Tiranës i duhet një ligj për referendumin vendor që të jenë vetë qytetarët që të vendosin nëse objekte të rëndëishme do të ndërtohen ose jo.

Adriana Kalaja: Unë mendoj se Tiranës sot në këtë kaos të plotë të ndërtimeve i duhet një ligj për referendumin vendor që të jenë vetë qytetarët e saj që të vendosin për objekte të rëndësishme nëse do të ndërtohen. Nëse do të hapet një rrugë, një nënkalim, një meto, etj. Objekte të cilat do të ndërtohen duke ndërhyrë dhe tek prona private e qytetarëve të ndryshme. Pika e dytë: Hedhja me tritol në erë e kullave pa leje.

Blendi Fevziu: Pse me tritol?

Adriana Kalaja: Është e vetmja mënyrë që përcakton vetë ligji se ndërtimet që janë në kate të larta, që kanë një sasi betoni të konsoliduar nuk mund t’i prishësh me asgjë përveçse shpërthimit të kontrolluar.

Blendi Fevziu: Cilat kulla do të shembni me tritol? Ato që janë ndërtuar?

Adriana Kalaja: Po, patjetër. Nëse leja ka dalë në kundërshtim me ligjin.

Primaret në PD për Tiranën/ Jul Deda: Në 4 vjet asnjë ndërtim në Unazën e Madhe, rishikim kredive të buta

Aktori Julian Deda dhe anëtar i Kryesisë së PD, i cili garon në primaret e Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës, ka prezantuar pikat e programit të tij.

I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Deda u shpreh se pika e parë e tij është të ndalojë ndërtimet për 4 vite brenda Unazës së Madhe të Tiranës.

“Unë propozoj 4 vjet të mos ketë asnjë ndërtim brenda Unazës së Madhe. Zero ndërtime brenda Unazës së Madhe. Tiranës i është zënë fryma, Tirana s’ka frymëmarrje, ka vetëm smog, ka një përqëndrim këtu. Ne mund të bëjmë një gjë tjetër, që duke bërë zero ndërtime brenda Unazës së Madhe, ne mund t’i hapim rrugë ndërtimit të një Tirane 2, 3 kështu me radhë jashtë Unazës. Pra jo se s’do ketë ndërtime, por brenda saj mos ketë asnjë lloj ndërtimi. Kjo bëhet me një plan të mirëmenduar”.

Një tjetër pikë ai përmendi edhe rishikimin e skemës së kredive të buta për çiftet e reja.

“Propozoj rishikimin e skemës së kredive të buta dhe sidomos mundet të bëjmë diçka në raport me subvencionimin 20% të shumës së një apartamenti të parë për çiftet e reja. Me këtë ne nxisim sadopak njerëzit që të rrinë këtu sepse shpopullimi është ajo që po e vret këtë vend, edhe Tiranë, por edhe Shqipërinë. Lindin këtu, ose vijnë në Tiranë, dhe lidhen me njëri-tjetrin dhe pastaj marrin rrugën dhe ikin nëpër Angli e nëpër Itali. Që t’i mbajmë në një farë mënyrë, t’i krijojmë mundësi që të rrinë në Tiranë. Ne mund të fillojmë të taksojmë banesat e dyta dhe të treta. Nuk e di sa taksohen por duhet të taksohen në mënyrë progresive. Të rriten akoma më shumë se ata që i kanë, këtu 40 mijë apartamente 3-4 veta i kanë në Tiranë, se kështu është ky muhabet, do detyrohen t’i shesin dhe jo t’i mbajnë”. 

“Po shkojmë keq se pushtetet janë në një dorë”, Ilir Alimehmeti: Qytetarët duan modele bashkëpunimi në favor të tyre

Ilir Alimehmeti ishte një nga 7 kandidatët e ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan të cilët garojnë në primaret e Partisë Demokratike për Bashkinë e  Tiranës. Ai ka folur për planet e tij në rast se fiton, duke u shprehur se kryefjala duhet të mbeten qytetarët.

Më  tej i pyetur se si do të funksionojë bashkëpunimi mes opozitës dhe mazhorancës, në rast se  Bashkinë e Tiranës e fiton Partia Demokratike ndërkohë që në qeveri është Partia Socialiste, Alimehmeti është përgjigjur se qytetarët e vendosin se kë model duan. Sipas tij përgjigjen e tyre po e japin duke ikur  pasi votuesit nuk duan që të gjitha pushtetet të jenë në një dorë.

Blendi Fevziu: Ju si kryetar bashkie duhet të bashkëpunoni me një mazhorancë e cila nuk ka të njëjtin ngjyrim politik dhe nga ana tjetër ka krijuar shenja agresiviteti në raportet me opozitën. Dhe jo vetëm kjo mazhorancë, por në përgjithësi raportet mazhorancë-opozitë në Shqipëri në 30 vjet janë problematike.

Ilir Alimehmeti: Një element është mosmarrëveshja historike, ka ndodhur dhe vazhdon të ndodh. Pyetja e madhe është çfarë duan qytetarët, sepse biem dakord të dy bashkë, në kurriz të qytetarëve është kjo brengë. Qytetarët tanë çfarë modeli duan? Duan një model që të kemi dy përplasje, apo që të kemi një model në favor të tyre. Po e tregojnë qartë, duke ikur jashtë shtetit. Kërkojnë një model, ku të jetë një fokus dhe një kryefjalë mbi qytetarët. Kjo është pyetja e parë, se çfarë duan votuesit. Elementi i dytë. Nuk duhet të keqkuptojmë diçka. Kemi pasur dhe e kemi sot që flasim edhe qeverinë edhe të gjitha bashkitë, në një dorë. Pra supozohet se mosmarrëveshje nuk ka. A shkoi kjo drejt qytetarëve apo shkoi drejt abuzimit më të rëndë të tyre. Drejt faktit që askush nuk të përgjigjet, askush nuk e ndien nevojën për transparencë. A na u përmirësuan ne shërbimet? A na u përmirësua cilësia e jetës? Nëse do ishte po, atëherë qenkemi shumë mirë kështu. Përgjigja është jo, po shkojmë keq, pikërisht sepse janë të gjitha në një dorë. Ne e kemi shumë të qartë është parimi kyç i demokracisë, duhet të kemi ndryshime mendimesh dhe këto mendime duhet të jenë konstruktive dhe jo destruktive. Element kyç  ky, në fund fare kryefjala është qytetari.

Gert Bogdani prezanton shtyllat e platformës së tij politike për kandidimin në primare për Bashkinë e Tiranës

Dinjitet e respekt (qytetari në qendër, përgjegjshmëri e transparencë), mirëqenie (shërbime cilësore dhe më pranë banorëve në të gjithë territorin), perspektivë (Ruajtja e trashëgimisë dhe zhvillim i qëndrueshëm e Tiranës), janë këto shtyllat kryesore të platformës politike të Gerti Bogdanit për kandidimin për primaret e PD-së për Bashkinë e Tiranës.

I ftuar në emisonin “Opinion” në Tv Klan, Gert Bogdani ka dhënë në formë më të detajuar platformën e tij politike për Bashkinë e Tiranës.

Gert Bogdani: Kjo që kemi dhe shohim në ekran janë shtyllat e qeverisjes dhe e para është dinjtiteti dhe respekti, që do të thotë rikthimi i qytetarit në vëmendje. Respektimin e pronës private, rikthimin e ligjshmërisë dhe këtu e kam fjalën për zonat e Unazës, 5 Majit, Kombinatit, Baldushkut e kështu me radhë. Kemi sot banorë që ende nuk kanë mbaruar punë me tërmetin pavarësisht se Bashkia ka hedhur lekë pafund. Kemi sot banorë që janë ende rrugëve. Pra, rikthimi ligjshmërisë që qytetarët të jenë pranë në fokus. Kur flasim për respektimin e pronës private dhe publike. Flasim për taksa më të ulëta. Shtylla tjetër është mirëqenia, kështu që referimi i shërbimeve tek banorët dhe tek mirëqenia ka një prioritet që duhet të fillojë puna në lagje, jo thjesht në qendër. Duhet të ketë një barazi mes Tiranës dhe banorëve të Tiranës. Nëse kalon në rrethina të Tiranës, pjesa më e madhe jetojnë në Kandahar kur bëhet fjalë për ujin, dritat, rrugët. Do të ketë një prioritet në ndërhyrjet në lagje. Hapësirat brenda lagjeve sepse aty duhet të rriten fëmijët. Nuk është vetëm çështja e ndërtimeve pa leje, ka shumë zona që mund të ketë një rikualifikim, kjo do të një studim të mirfilltë. Ndërhyrje të shpejta dhe me zgjidhje të shpejta. Trafiku zgjidhet me një transport publik më efiçent, më cilësor dhe jo vetëm nga cilësia por edhe nga standardet e sigurisë që të gjithë të kenë mundësi që ta përdorin.

Këlliçi: Në Tiranë situatë dëshpëruese, duhen dëgjesa me qytetarët për vendimmarrjen që prekin komunitetin

Kandidati në primare brenda PD për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi thotë se Tiranës i mungon jeta kulturore dhe sociale.

I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan për të shpalosur vizionin dhe programin e tij, Këlliçi deklaroi se Tirana duhet të bëhet qytet i jetueshëm për 12 muajt e vitit.

Sipas tij, duhen marrë masa më shumë për rinisë dhe për sportin e aktivitete të tjera në qytet.

“Në Tiranë është një situatë dëshpëruese përsa i përket jetës sociale, jetës kulturore. Duhet të jetë Tirana një qytet që i jep akses dhe mundësinë gjithë qytetarëve të jetojnë në këtë qytet 12 muajt e vitit. Jemi tani në muajin Dhjetor dhe ma besoni në këtë periudhë do ketë një periudhë kur studentët do të marrin pushimet dhe do të largohen, ky vend do të shkretohet edhe pse duhet të jetë një periudhë festash. Tirana duhet të jetë e jetueshme, kjo Tiranë që kemi nuk na mjafton. Është e vërtetë që Tirana është Kryeqyteti Europian i Rinisë, por nuk duhet të presim që të shpallet qyteti europian i rinisë apo qyteti europian i sportit siç është vitin tjetër, për të folur për rininë dhe për sportin. E vërtetë është që nuk kemi asnjë qendër rinore dhe e vetmja qendër rinore që ishte u dha leje për t’u bërë pallat, po bëhet kullë. Kështu që duhet të ketë disa prioritete që të targetojnë dhe fokusojnë nevojat e qytetarëve. Jam pro në parim korsive të biçikletave, por Tirana duhet të jetë proporcionale. Duhet të ketë një vend edhe për korsitë e biçikletave, edhe një linjë mbase të dedikuar për autobusët, por edhe për makinat, edhe trafiku të lehtësohet, por dhe dyqanet për shembull në rrugën ‘Myslym Shyri” apo në Rrugën e Kavajës e të Durrësit, të mos falimentojnë për shkak të korsive të biçikletave. Kështu që duhet të bëhen dhe dëgjesa me qytetarët për vendimmarrjen që prekin drejtpërdrejt komunitetin”, u shpreh Belind Këlliçi.

“Jam kundër sistemit që e kam shpallur diktatorial”, Fatmir Merkoçi: Marrja e bashkisë është rrëzimi i Ramës

Fatmir Merkoçi një nga kandidatët për garën e primareve brenda Partisë Demoktarike për Bashkinë e Tiranës, ka folur këtë të enjte në emisonin “Opinion”, në Tv Klan  për kandidaturën e tij. Ai ka thënë se një nga pikët më të rëndësishme ku ai do të fokusohet nëse fiton garën do të jetë infrastruktura e qytetit për të cilën do ndjekë politika që qytetarët të jenë sa më të  lirë. 

Gjithashtu ai ka thënë se misoni i tij është rrëzimi  i këtij regjimi që sipas tij është diktatorial, ndërsa marrja e Bashkisë  së Tiranës, për të është rrëzimi i  kryeministrit Edi Rama.   

Fatmir Merkoçi: Infrastruktura e qytetit është e shkatërruar dhe në këtë infrastrukturë të cilën njerëzit  e vuajnë çdo ditë, njerëzit duan një politikë tjetër. Unë këtë politik do ndjek, për t’ua  bërë qytetarëve  jetën sa më të lirë. 

Blendi Fevziu: Ku do e gjeni ju buxhetin për të rindërtuar infrastrukturën

Fatmir Merkoçi: Jo pa qëllim ju thash. Në fillim kandidoj si person, pastaj do kem mbështetjen e partisë për të bërë të gjithë programin.

Blendi Fevziu: Partia nuk mund t’ju mbështes financiarisht. S’ka asnjë shans aq më tepër në opozitë.

Fatmir Merkoçi: Unë jam në një mision kundër këtij sistemi diktatorial, që unë e kam shpallur sistem diktatorial dhe marrja e bashkisë për mua është rrëzimi i Ramës.

Redi Shehu: Pra keni qasje politike, jo administrative.

Fatmir Merkoçi: Politika është e para.

Redi Shehu: Pra ju doni të merrni bashkinë e Tiranës, për të rrëzuar Ramën dhe asgjë tjetër.

Fatmir Merkoçi: Jo, s’thashë asgjë tjetër. Kur unë thash minimumin jetik pse nuk e përmende?

Redi Shehu: Është politik qeveritare ajo.

Fatmir Merkoçi: Po do e vendos, do e vendos se s’bën. Atë që them unë e mbaj, unë nuk premtoj shumë dhe bnuk nxjerr shumë  fjalë, për   të  vetmen gjë se karakteri im nuk e lejon që të them diçka  e nesër të them ishin elektorale.

Redi Shehu: Janë disa gjëra kokëforte që me gjithë  dëshirën e  mirë tuajën nuk mund t’i realizoni.

Fatmir Merkoçi: Edhe unë kokëfortë jam.

“Detyrim për qytetin që kam dhënë jetën, pavarësisht se sot jam gjallë”, Merkoçi tregon pse kandidon në primaret e PD-së

Kandidati për primaret e Partisë Demokratike, Fatmir Merkoçi kanë dhënë arsyet e kandidaimit të tij për kryetar të Bashkisë së Tiranës në emisionin “Opinion” në Tv Klan.

Gjatë fjalës së tij, Merkoçi ka thënë se i ka hyrë garës për primaret në PD për t’i dhënë një fytyrë të re politikës shqiptare dhe për të qenë kjo ka qenë “një detyrim karshi qytetit” për të cilin kandidati Merkoçi thotë se ka “dhënë gjithçka, edhe jetën”.

Fatmir Merkoçi: Në 32 vjet nuk kam asnjëlloj funksioni politik dhe shtetëror. Më vlerësuan vlerat dhe kontributet e mia dega Numër 9 dhe pse s’jam banor i saj dhe e vlerësova këtë vlerësim që më bënë dhe u futa për t’u kandiduar, për t’i dhënë një fytyrë të re politikës shqiptare, PD-së dhe për të qenë detyrim karshi qytetit ku unë kam dhënë gjithçka, kam dhënë edhe jetën, pavarësisht se jam sot gjallë. E ndjeva si një detyrim të padiskutueshëm dhe me besim absolut që unë luftën e kam me Ramën dhe kjo është beteja e parë që unë do të fitoj karshi Ramës.

Kandidati i primareve në PD: Nuk do lejoj që në Bashkinë e Tiranës të valëvitet flamuri i LGBT

Fatmir Merkoçi, themelues i PD-së dhe kandidat në garën e primareve brenda Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës, thotë se nëse zgjidhet kryetar i bashkisë së kryeqytetit nuk do të përkrahë komunitetin LGBT.

I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Merkoçi ka deklaruar se nuk do të lejojë që në Bashkinë e Tiranës të valëvitet flamuri i LGBT.

Fatmir Merkoçi: Ajo që është kryesorja, do të bëj që, në qoftë se deri më sot kam kërkuar që individuale dhe permanente minimumin jetik, po të jem kryetar bashkie do ta kërkoj në mënyrë institucionale sepse nuk mund të pranoj që një qytetar i qytetit tim të marri 4 mijë Lekë të vjetra asistencë, dhe ajo që është më kryesorja, duke qenë se i përkas të djathtës konservatore, nuk do lejoj në mënyrë kategorike që të valëvitet apo të vendoset flamuri i LGBT-së në Bashkinë e Tiranës.

Blendi Fevziu: Nuk do të lejosh?

Fatmir Merkoçi: Jo! Unë i besokj dhe i falem Zotit, kombit dhe familjes. Për këto 3 gjëra nuk e diskutoj fare, të gjithë më njohin dhe e dinë shumë mirë, qoftë të majtë apo të djathtë, që jam njeriu më i pakorruptueshëm në këtë vend. Nuk shkel mbi parimet, nuk shkel mbi varrin e të parëve, nuk shkel mbi gjakun tim që e kam derdhur në mes të Tiranës, nuk shkel mbi vuajtjet dhe sakrificat e popullit të Tiranës.

7 kandidatët e primareve të PD-së në “Opinion”, japin arsyet pse kandidojnë për Bashkinë e Tiranës

7 kandidatët në primaret e PD-së Belind Këlliçi, Gert Bogdani, Ilir Alimehmeti, Adriana Kalaja, Enkeleida Fejzo, Fatmir Merkoçi, Julian Deda janë të ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin “Opinion” ka ka dhënë arsyet e kandidimit të tyre.

Julian Deda: Kandidoj sepse mendoj se Tiranës apo politikës shqiptare i duhet një person atipik, rë raport me politikën apo të bërit politikë sot në vendin tonë. Tirana apo Shqipëria është në këtë gjendje se politikënt kanë punuar keq, i mungon shpirti i një personi që mbase ndjen më shumë për njerëzit. Nuk jam fort i ri në PD, jam dhe unë një pjesëtar i saj dhe një person i cili ka punuar në strukturat e PD jo vetëm për zgjedhje. Përveç faktit që kemi një model të skarcuar që sot drejton Tiranën.

Belind Këlliçi: Tiranë është dëmtuar rëndë në këto vite. Bazohem në të gjithë perceptimet publike. I janë bërë dëme të mëdha kryeqytetit në këto 8 vite. Na është vjedhur e ardhmja, janë marrë vendime që prekin buxhetin e Tiranës. Janë krime që janë kryer në këto 8 vite Tiranë. Këto dëme që i janë bërë Tiranës, nuk mund të qëndroj më si një qytetar i këtij qyteti dëshmitar okular i shkatërrimit të qytetit ku unë jetoj.

Enkeleida Fejzo: Kam vendosur të kandidoj për kandidat të Bashkisë së Tiranës sepse jam ofruar të çrrënjos modelin e kryetarit, duke ofruar kontribut të të vepruarit ndryshe. Pavarësisht nga statusi që ne kemi dhe mendoj se nga guximi im, të gjithë së bashku të sjellim një ndryshim pozitiv. Mendoj se ka ardhur momenti që të mendojmë vetëm për qytetarin.

Gerti Bogdani: Dua që në Tiranën ku jam rritur të kandidoj se ma kanë kërkuar qytetarë të panumërt. Mendoj se ky qytet mund të bëhet. Tirana ka ende mundësi që të bëhet, por nuk ka më kohë për të humbur. Tirana nuk duhet të jetë qyteti ku pastrojnë paratë e krimit duke e kthyer këtë qytet në lavatriçen e parave të pista. Kandidoj se besoj se e fitoj Tiranën.

Adriana Kalaja: Është nevojë ulëritëse që Bashkia e Tiranës të ktheht në shinat e zbatimit të ligjit. Bashkia e Tiranës të zbatojë dispozitat ligjore. Kemi raste pafund që janë kryer vepra të ndryshme penale, janë kallëzuar dhe në SPAK. Drejtësia sot është e kapur, kjo është arsyeja pse unë kandidova. Bashkia e Tiranës duhet të kthehet në shinat e ligjit dhe për të zbatuar kauzën e jetës sime: Rikthimi i teatrit ashtu siç ishte dhe aty ku ishte.

Ilir Alimehmeti: Përditë ne jetojmë në këtë Tiranë, e shohim si harrohet trashëgimia e saj kulturore. Ose marr rrugën jetoj jashtë me bashkëshorten time, ose marr kalamajtë shkoj jashtë, ose vendos të bëj këtë që po bëj dhe të përpiqem të ndryshoj një qytet që është i pajetueshëm dhe të administroj një qytet ashtu siç kam administruar shëndetësinë.

Fatmir Merkoçi: Në 32 vjet më vlerësuan dhe kontributet e mia dega numër 9 dhe e vlerësova këtë vlerësim që më bënë dhe u futa për t’u kandidiuar, për t’i dhënë një fytyrë të re PD-së dhe për të qenë detyrim karshi qytetit ku unë kam dhënë gjithçka edhe jetën, pavarësisht se jam sot gjallë./tvklan.al









Të ngjashme

Autori: Blendi Fevziu

01:22 02/12/2022