OPINION – RASTI BEQJA, KUSH PERGJON NE SHQIPERI?

OPINION – RASTI BEQJA, KUSH PERGJON NE SHQIPERI?

12:50 18/11/2016

Të ftuar:

Fatos Klosi, 

Arjan Dyrmishi,

Robert Rakipllari,

Preç Zogaj, 

Lytfi Dervishi, 

Jordan Daci, 

Klodiana Lala, 

Saimir Kodra

Një ditë më parë, emisioni investigativ “STOP”, në Televizionin Klan, transmetoi bisedën telefonike të Ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj me ish – kreun e Fondit të Kujdesit Shëndetësor të Tropojës, Çlirim Hajdarmataj. Nisur nga ky fakt, emisioni Opinion, ka si temë të mbrëmjes, pyetjen: Kush përgjon në Shqipëri?

Në lidhje me transmetimin e regjistrimit të ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj në emisionin investigativ “STOP”, ditën e djeshme, Saimir Kodra ka theksuar në Opinion se pushimi nga puna i z.Hadarmataj, është bërë se nuk ka marrë pjesë në mbledhje partie. Kodra, më tej, ka theksuar se të bësh lidhjen e një pushimi nga puna me regjistrimin audio, është realizuar pasi ne pritëm pushimin nga puna, pra që kishte ardhur një urdhër pushimi për të, që të konfirmoja gjithë bisedën. Ai tha se shkarkimi i tij nëpërmjet asaj telefonate, ka ardhur pikërisht nga ajo, pasi Hadarmataj nuk kishte asnjë vërejtje në punë, nuk ka as paralajmërime për thyerje të kodit të etikës, si dhe nuk i është drejtuar asnjë masë disiplinore.Kodra tha se në urdhërin e shkarkimit, të firmosur nga vetë ministri Beqaj, nuk i është shkruar asgjë nga këto, pra asnjë shkelje.

Drejtuesi i “STOP”, Saimir Kodra ka theksuar më tej, kryesisht pas reagimit të ministrit Beqaj në Kuvendin e Shqipërisë, se nëse ministri ka një video tjetër, unë jam i gatshëm ta transmetoj menjëherë në emision. Kodra tha se ministri e dika se Çlirimi i paska dhënë tre muaj rrogën një punonjësi jashtë çdo lloj ligji, por ai tha, pse ministri të mos i thotë se ti je një mashtrues dhe do shkosh në burg, sepse ke paguar një ekonomist pa ardhur fare në punë. Ai tha se në urdhërin e tij të shkarkimit, sipas këtij pretendimi, duhej të kishte edhe ndjekje penale.

Çlirim Hajdarmataj, ish-drejtori i Fondit të Kujdesit Shëndetësor të Tropojës, ka theksuar nëpërmjet një lidhje telefonike nga SHBA, se nuk ka paguar asnjë person pa ardhur në punë. Hajdarmataj, bëri me dije, se të gjithë ata persona që kanë dërguar mesazhe tek ministri, e kanë informuar gabim. Ai tha se ata persona kanë ndikuar negativisht tek ministri edhe si i delegum aty për partinë për rrethet Has dhe Tropojë. Ish-drejtori tha se në kohën kur unë kam shkuar në atë vend pune, është realizuar sipas procedurave ligjore, ai vend ka qenë i lirë. Ndër të tjera, Hajdarmataj tha se unë kam plotësuar të gjitha kushtet për t’u punësuar në atë vend pune. Sipas tij, personi që ishte më parë, ka qëndruar dy muaj e ca ditë.

Fevziu: Z.Hajdarmataj për çfarë arsye e përgjuat ministrin? 

“Unë e regjistrova ministrin, pra bisedën me të shumë kohë më parë. Problemi me të ka vazhduar që në periudhën e zgjedhjeve në parti, që u shtuan gati 8 muaj.”

Ndërsa, në lidhje me përgjimin, Hajdarmataj tha se unë jam i gatshëm të përballem me ministrin në gjykatë.

Saimir Kodra ka bërë me dije se në ditët e sotme mund të marrësh kundrejt pagesës në internet dhjetra programe përgjimi.

Për avokatin Jordan Daci, transmetimi i videos në emisionin investigativ “STOP”, nuk kishte element të publikuar të jetës private të subjektit të akuzuar. Daci tha se ajo është një bisedë komplet publike. Sipas tij, nëse vetë biseda, që ti zhvillon në telefon me dikë quhet aspekt i jetës private apo jo, kjo është relative në varësi të personit që kush e bën, cilësive që ka personi dhe raporti me të cilin identifikohet.

Robert Rakipllari, kryeredaktor i Panoramas, deklaroi në lidhje me regjistrimin audio, të transmetuar nga “STOP”, përbën një interes publik. Rakipllari tha se ministrin Beqaj ne mund ta kritikojmë për shumë gjëra, por nëse marrim rastin në fjalë, kryesisht referuar deklaratës të sapo dhënë nga Hajdarmataj, ishte një vetëdiskriditim i jashtëzakonshëm i tij, për mënyren se si është zgjedhur drejtor. Ai tha se në marrëveshjen paraelektorale që ka bërë PS me aletatët e tjerë të vegjël, është thënë, se nëse merrni 500-600 vota do keni një post drejtori rajonal. Nëse do merrni nga 10 mijë deri në 11 mijë do keni drejtori në qendër. Sipas tij, ky regjistrim ka një problem shumë të madh, emërimet politike në administratë. Rakipllari, bëri me dije, se interesi i opinionit publik qëndron pikërisht në këtë pikë, pasi të gjithë specialistët e fushave të ndryshme, që janë jashtë partive, nuk kanë asnjë shans që të futen në administratë dhe të drejtojnë një drejtori.

Klodiana Lala, gazetare, tha se regjistrimi i publikuar nga “STOP”, tregon se në çfarë gjendje është administrata në vendin tonë. Lala tha se opinioni publik nuk e di se gjendja është kaq e rëndë dhe kaq e thellë, sipas saj, ky është edhe thelbi i problemit. Ajo tha se një person që investon rreth njëzet vite për veten, sipas kësaj video, do të thotë që ai mos të hyjë kurrë në administratë.

Fatos Klosi, ish-shefi i SHIK, bëri me dije se në ligjin e ri të nënpunësit civil, ku jo të gjithë punonjësit e administratës janë nënpunës civil, por me ligjin e ri që u vu në fuqi, ka një departament që quhet DAP dhe ka detyrimin për të verifikuar një gjendje të tillë. Klosi tha se ky departament po bën punë, por gjithë ajo gjëndje që ka qenë kështu shumë kohë më parë, nuk mund të ndryshojë menjëherë. Ai tha se duke parë një video të tillë, unë pyes, nëse po shkojmë drejt përmirësimit të situatës apo drejt përkeqësimit. Ndërkaq, në lidhje me videon, Klosi tha se ky është vetëm një rast, nuk tregon asgjë.

Preç Zogaj, ka theksuar se ky është një episod, ku mblidhet fryma e kohës ose e keqja e kohës. Zogaj tha se ka episode të tjera më të mëdha, si edhe disa episode të vogla, ku i bie fjala pikërisht ashtu siç thotë populli se nga ferra e vogël, del lepuri i madh. Sipas tij, të këqijat e kohës që dalin nga ky episod, janë: E para është se këto konkurse për punësim në administratë janë falsitete. Këto janë konkurse mavi. Fitojnë vetëm kandidatët e partisë në pushtet. E dyta, kemi një kthim mbrapa, pasi shkarkohet për arsye politike. E treta, është një ngjarje, që reflekton mutacione të ndryshimeve të mëdha që po ndodhin në përbërjen e Partisë Socialiste me ekipin e Rilindjes.

Arjan Dyrmishi, Inspektor për Çështjet e Sigurisë Kombëtare,  ka theksuar në Opinion mbi përgjimin e aparatit celular, që sistemi të funksionojë, duhet të rregullohet nëpërmjet kompanive që ofrojnë shërbime të tilla. Dyrmishi tha se pasi këto kompani vendosin të ofrojnë gjithë sinjalin, Prokurorisë i lind e drejta që në funksion të një vendimi të ligjshëm, të japë akses vetëm për ato numra për të cilat është marrë vendimi. Ndër të tjera, ai theksoi, se pavarësisht se kush është qëllimi, ato që miratohen me vendim gjykate, presupozohet se për arsye ligjshmërie, mund të përdoren edhe si prova në gjykatë.

Fatos Klosi, ish-shef i SHIK, theksoi se ka pasur raste që një punonjës i shërbimeve ka përgjuar për interesa personale apo të kërkuara nga dikush tjetër jashtë shërbimeve. Klosi bëri me dije, se raste të tilla, ka pasur plot dhe kanë qenë shumë të vështira për t’u zbuluar.

Të ngjashme
UKT