Shoqëria Civile dhe Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit organizuan një protestë para Bashkisë së Tiranës. Protesta u thirr pas hetimeve te SPAK ndaj disa zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të Bashkisë për korrupsion.

Protestuesit kërkuan largimin e kryebashkiakut Erion Veliaj dhe në shenjë revolte hodhën vezë dhe mollë drejt godinës së Bashkisë.

Të pranishëm ishin edhe deputetë dhe përfaqësues të opozitës të cilët u shprehën se e kanë parë të udhës t’i bashkohen protestës së shoqërise civile.

Gazment Bardhi: Ajo që ka ndodhur me bashkinë e Tiranës, ku 5 zyrtarë, njerëzit më të afërt të Erion Veliajt brenda një periudhe të shkurtër kanë guxuar duke i dhënë vetes 22 milionë euro, është një kambanë alarmi se në çfarë deregjeje ka shkuar qeverisja qendrore dhe lokale.

Argita Malltezi: Zullumi është trashur kaq shumë saqë sot ka arritur përmasa të pakonceptueshme më përpara, paratë e buxhetit të shtetit shkojnë menjëherë në xhepat e pushtetarëve dhe pastaj justifikohen te Erion Veliaj si ca probleme teknike me organizatën.

Belind Këlliçi: Ne japim fjalën të gjithë qytetarëve të Tiranës se kjo bandë që fshihet sot brenda mureve të bashkisë Tiranë do shkojë i tëri në burg.

Për mbarëvajtjen e protestës që zgjati 90 minuta kishte forca të shumta policie që krijuan një kordon të gjatë sigurie.

Klan News