Masakër e re ndaj civilëve në Gaza. Të paktën 18 vetë, përfshirë personel i Kombeve të Bashkuara, u vranë pas një sulmi ajror izraelit në shkollë të kthyer në qendër strehimi për familjet e zhvendosura. Sipas zyrtarëve të Mbrojtjes Civile të paktën 44 të tjerë u plagosën.

UNRWA, agjencia e OKB-së që shpërndan ndihma humanitare në territoret palestineze, tha se gjashtë nga punonjësit e saj u vranë “kur dy sulme ajrore goditën një shkollë dhe rrethinat e saj në Nuseirat”.

Por në reagimin e tyre, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) konfirmuan se “kryen sulm preciz ndaj terroristëve” që vepronin brenda kompleksit të shkollës. Izraeli pretendoi se shkolla ” përdorej nga terroristët e Hamasit për të planifikuar dhe ekzekutuar sulme kundër trupave dhe shtetit të Izraelit”.

Sipas OKB-së në këtë objekt të goditur nga aviacioni izraelit ndodheshin rreth 12,000 vetë të zhvendosur nga pjesë të tjera të Gazës, përfshirë gra dhe fëmijë.

Kjo është hera e pestë që kompleksi i shkollës vihet në shënjestër që nga 7 tetori, sipas agjencisë së OKB-së.

Në anën tjetër të territoreve palestineze, forcat izraelite po kryejnë një sërë operacionesh në Bregun e pushtuar Perëndimor. Automjetet ushtarake u panë në rrugët bosh të Tubas, ndërsa bastisjet vazhduan në qytet.

Bastisjet nga forcat izraelite po zhvillohen në Tubas, Jenin dhe Tulkarm. Të tre qytetet kanë një prani të madhe të fraksioneve të armatosura palestineze duke përfshirë Hamasin, Xhihadin Islamik të mbështetur nga Irani dhe Fatahun.

Janë raportuar përleshje të ashpra mes forcave izraelite dhe luftëtarëve palestinezë, ndërsa rrugët dhe infrastruktura në të tre qytetet ka pësuar dëme të mëdha pasi forcat izraelite kanë hapur rrugë dhe kanë shkatërruar shtëpi.

Klan News