Gripi i derrave shënon viktimën e parë jashtë Meksikës. Bëhet fjalë për një fëmijë 23-muajsh nga Teksasi i Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Lajmi është konfirmuar nga autoritetet shëndetësore vendase, të cilat nuk kanë bërë publik asnjë informacion rreth infektimit apo vdekjes së fëmijës.

Deri tani në SHBA, janë konfirmuar 64 raste të prekjes nga sëmundja, ndërsa në Evropë, numri i rasteve arrin në shtatë, tre vetëm në Gjermani.

OBSH flet për 112 persona të prekur nga virusi H1N1. Ajo konfirmoi zyrtarisht se 8 persona kanë gjetur vdekjen si pasojë e sëmundjes.

Ministri meksikan i Shëndetësisë, Jose Angel Cordova, tha se numri i viktimave në Meksikë ka arritur në 159, megjithatë mbetet për t’u verifikuar se sa prej tyre kanë humbur jetën si pasojë e virusit vdekjeprurës.

Jose Angel Cordova: “Me informacionin që kemi deri tani, mund të konfirmojmë se numri i viktimave ka arritur në 159 në një kohë që bëhet fjalë për 2500 të prekur. Në këto momente mjekët po analizojnë të gjitha rastet e dyshuara të gripit që janë paraqitur. Pritet që gjatë 24 orëve të ardhshme të kemi edhe rezultatet përfundimtare për 150 persona të tjerë.”

SHBA, Kanadaja dhe Evropa kanë pezulluar për 48 orë të gjitha fluturimet nga Meksika. 

Presidenti amerikan, Barack Obama, i ka kërkuar kongresit të miratojë shumën prej 1.5 miliardë dollarësh për të luftuar gripin e derrave. 

Obama tha se paratë e kërkuara do të përdoren për të depozituar stoqe me medikamente antivirale, si dhe për të zhvilluar një vaksinë të re.

Kërkesa e Obamës u bë menjëherë pasi në Kaliforni u shpall gjendja e jashtëzakonshme.

Nga ana e saj, Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi, FAO, po heton fermat industriale të derrave, të cilat janë burimi i kësaj epidemie.

Vetëm një ditë më parë BE tha se do të rrisë masat e sigurisë për parandalimin e epidemisë./tvklan.al