Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Në ditën e 18 të luftimeve në Irak, forcave aleate në Gjirin Persik, u janë bashkuar edhe komandot shqiptare. Lajmin e ka konfirmuar ekskluzivisht për TV Klan, Ministri i Mbrojtjes Pandeli Majko, i cili ka dhënë hollësi, gjatë një bisede në studio, sipas të cilit, këto trupa do të vendosen në Kuvajt.

Pandeli Majko:- “Sot ne nisëm dhe unë përcolla nga zyra ime në drejtim të Kuvajtit, 5 ushtarakët e parë të njësisë, të cilët aktualisht janë në drejtim drejt Kuvajtit, do shkojnë në Kuvajt, jo në Irak, do të bëjnë rikonjicionin në pritje të djemve të tjerë. Vazhdon stërvitja, gjendja psikologjike është e shkëlqyer dhe gjithçka do të rakordohet me partnerët tanë. Unë mendoj se duhet të ndihemi krenar, që këta djem po bëjnë pikërisht këtë. Ne nënshkruam është informuar edhe publiku, nënshkruam edhe marrëveshjen Sofa, për statusin e forcave tona në Kuvajt dhe gjithsesi, situata e tyre operacionale është i paracaktuar”.

Ndërkohë mësohet që komandot e tjerë nga Shqipëria do të nisen brenda muajit Maj.

Pandeli Majko:- “Mendoj se ata do të nisen të gjithë menjëherë dhe do të nisen me një procedurë më publike dhe mendoj që do të jetë një eveniment për forcat e ushtrisë, kështu që edhe TV Klan do të jetë i ftuar kur ne t’i përcjellim ata në aeroportin e Rinasit”.

Parlamenti shqiptar ka miratuar pak kohë më parë, një akt-normativ të qeverisë, që përcaktonte statusin e trupave komando shqiptare, si forca paqeruajtëse, pas përfundimit të luftës në Gjirin Persik./tvklan.al

Gazetare – Holta Zhiti