Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Intervistë me Kryeministrin Pandeli Majko në Rinas pas vizitës në SHBA.

Kryeministri Pandeli Majko:- “Mendoj që nuk vij nga një tokë e premtuar por vij nga një vend mik dhe partner siç janë SHBA, vij me kënaqësinë e një vizite shumë të suksesshme. Vij me kënaqësinë e lajmit që me qeverinë e SHBA, qeveria Shqiptare firmosi marrëveshjen për anëtarësimin në Organizatën Botërore të Tregtisë dhe ndërkaq kemi diskutuar me lobin e biznesmenëve amerikan dhe senatorëve amerikan me qëllim që për herë të parë pas viteve ’90 në Kongresin Amerikan do të diskutohet dhe do të votohet një ligj, i cili do ta përjashtoj Shqipërinë që kishte mbetur ende në radhët e vendeve komuniste ose ish-komuniste. Jam i kënaqur të them që pata një vizitë të veçantë edhe në Shtëpinë e Bardhë, jo vetëm si kryeministër por edhe si socilisti i parë që trokiti në dyert e Shtëpisë së Bardhë. Mendoj se tani Shqipëria i konsolidoj dhe më tepër marrëdhëniet me SHBA”.

Gazetarja:- Zoti kryeministër a folët për situatën politike në Shqipëri?

Kryeministri Pandeli Majko:- “Folëm për situatën politike në Shqipëri, por gjithësesi ju siguroj që është një situatë e cila po ndiqet me vëmendje nga qeveria amerikane, pasi në rajon në marrëdhëniet me Shqipërinë, qeveria amerikane ka interesa të shprehura të cilat janë duke u evidentuar dhe do të evidentohen në të ardhmen”.

Gazetarja:- A morët mbështetje si kandidat për kryetar partie?

Kryeministri Pandeli Majko:- “Qeveria Amerikane nuk jep mbështetje për kandidatët për kryetar partie. Qeveria Amerikane përkrah Shqipërinë”./tvklan.al