Në një moment kur emri i tij është shumë i përfolur në merkato, Jasir Asani duket se ka vendosur “paqen” me Gwangju në Korenë e Jugut.

Sulmuesi shqiptar u rikthye të luajë titullar,  për skuadrën e tij, për herë të parë që nga 3 dhjetori i vitit të kaluar.

Asani për herë të fundit me fanellën e Gwangju kishte luajtur më 6 prill dhe atëherë vetëm 9 minuta. Megjithatë këtë të mërkurë 29-vjeçari e nisi nga minuta e parë sfidën e Kupës, ndaj Seongnam.

Shqiptari u aktivizua për 75 minuta, në ndeshjen që skuadra e tij e fitoi 3-2. Mes lojtarit dhe klubit kishte nisur një “luftë” nga dimri, kur Asani kërkoi largimin, diçka që nuk u prit mirë nga koreanët.

Pas atij momenti, sulmuesi u la jashtë skuadrës, duke mos u grumbulluar për ndeshjet e kampionatit dhe as për në Kupë.

Pavarësisht aktivizimit të paktë, interesimet për lojtarin nuk kanë munguar, për shkak të paraqitjeve të treguara me Kombëtaren shqiptare, ku ai ka lënë shenjë.

Pas rikthimit të pushimeve nga Europiani, mes Asanit dhe Gwangju është vendosur “paqja” dhe në vazhdim priten më shumë minuta për lojtarin. /tvklan.al