Nuk prodhoi fitues “Klasikja” e futbollit shqiptar. Sfida mes Vllaznisë dhe Tiranës, në “Loro Boriçi”, u mbyll në barazim 2-2.

Kjo përballje kishte gjithçka brenda, përveç fituesit. Bardheblutë e kryeqytetit ishin më kërkues në pjesën e parë, duke krijuar disa raste të pastra.

Ndeshja u zhbllokua në minutën e 22-të, kur Jarmouni shënoi dhe i dha avantazhin Tiranës. Pjesa e dytë nisi me gol, me Bekim Balajn që vendosi baraspeshën në minutën e 55-të.

Tirana u rikthye në avantazh në minutën e 76-të, falë një goli të Ismajlit, por festa zgjati pak.

Balaj, riktheu sërish baraspeshën 3 minuta më vonë, me një supergol të shënuar nga goditja ë dënimit.

Pavarësisht se të dyja skuadrat krijuan, rezultati nuk ndryshoi deri në fund dhe ekipet u detyruan të ndajnë nga një pikë.

Ky është barazimi i dytë radhazi për Tiranën në kampionat, ndërsa Vllaznia ndalet pas fitores me Partizanin një javë më parë. /tvklan.al