Lideri i Partisë Demokratike Sali Berisha i kërkoi kryetarit të Kuvendit që parlamenti të distancohet nga deklarata e deputetit aleancist Neritan Ceka mbi shpalljen e ambasadorit të OSBE-së Osmo Lipponen person të padëshirueshëm.

Sali Berisha: “Unë kërkoj që parlamenti t’i paraqesë apologji publike prezencës së OSBE-së në Tiranë për qëndrimin prej gangsteri, për qëndrimin prej krimineli, për qëndrimin prej kateshi, të kryetarit të Komisionit të Rendit dhe SHIK-ut ndaj përfaqësuesit kryesorë të OSBE-së në Tiranë. Ajo është një fyerje për të gjithë vendin.”

Berisha e dha këtë deklaratë ndërsa komentonte shtyrjen nga seanca të projektligjit për organizimin dhe funksionimin e autoritetit mbikqyrës të sigurimeve. Nisur nga kërkesa e ministrit të Financave Malaj për të kaluar sa më shpejt këtë ligj, Berisha akuzoi se klubi i drogës në qeveri kërkon të pastrojë paratë me tregun e sigurimeve. Deputetët e opozitës kundërshtuan gjithashtu rritjen e akcizës së duhanit prej 5 lekësh, kjo do të sillte, sipas tyre, jo vetëm rritje të çmimeve, por shkatërrim të prodhimit vendas dhe krijimin e monopoleve në treg. Ky argument u rrëzua nga përfaqësuesi i qeverisë Arben Malaj.

Sali Berisha: “Këtu nuk janë akcizat ato që mbajnë çmimin e testerfildit apo çmimin e, si i thonë këtyre cigarve që i importon Fatosi, kamelit. Jo, jo nuk është halli aty, sepse ato shiten 4 dollarë, i kam parë unë në tregun perëndimor, absolutisht po, 6 dollarë, kurse këtu Fatosi me klanet e tij i shet me çmime simbolike.”

Arben Malaj: “Realisht mund të them që akciza është një tatim indirekt, e cila, impaktin e saj e jep te konsumatori. Fatkeqësisht prodhimi vendas i cigareve nuk është penguar nga akcizat, por nga momente të rëndësishme të kultivimit.”

Në seancën përmbyllëse të sesionit të 6-të të legjislaturës së 16 të Kuvendit të Shqipërisë pritet të miratohen vërejtjet e Presidentit të Republikës në ligjin për njohjen, kthimin dhe kompensimin e pronave si dhe do të jepet pëlqimi për emërimin e Lutfi Dervishit si anëtar i Këshillit Kombëtar të Radio Televizionit. /tvklan.al