Ministria e Punëve të Brendshme ka ndryshuar masën e sigurisë ndaj produkteve që hyjnë nga Serbia përmes pikës kufitare Merdare.

Me vendimin e ri, i cili u është përcjellë të hënën institucioneve përkatëse nga ministri i Punëve të Bredshme, Xhelal Sveçla, ndalimi i importimit të këtyre produkteve do të zëvendësohet me “kontroll të detajuar” për maunet që hyjnë nga Serbia.

Ndryshimi i masës së sigurisë vlen vetëm për pikën kufitare në Merdare derisa ajo mbetet në fuqi në pikë kalimet kufitare të tjera me Serbinë.

“Në momentin kur të na vijnë skanerët, atëherë ata vendosen në të gjitha pikat kufitare por derisa nuk na vijnë skanerët ne do të hapim një pikë kufitare e cila do ta ketë kontrollin e shtuar për shkak se masat që i kemi ne janë masa të sigurisë dhe në shtatë ditët në vijim i kemi dy zhvillime shumë të rëndësishme”, tha Kurti.

Kosova pret që pas këtij vendimi, edhe pse është i pjesshëm të jetë në mbledhjen e CEFTA-s dhe samitin e Procesit të Berlinit.

Kosova pati ndalur importet nga Serbia pas arrestimit të tre policëve kosovarë nga forcat serbe, tensioneve në veri dhe dyshimeve se nëpërmjet mallrave janë futur ilegalisht armë, vitin e kaluar.

Masa e sigurisë më pas u ndryshua duke u lejuar importimi i lëndës së parë dhe gjysmë produkteve të nevojshme për prodhim final.

Gjermania ka kërcënuar Kosovën me mospjesëmarrje në samitin që mbahet më 14 Tetor, nëse nuk e heq ndalesën e importit të mallrave nga Serbia.

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka përshëndetur vendimin e Qeverisë.

Tv Klan