Kombëtarja shqiptare nisi këtë të hënë përgatitjet për dy ndeshjet e Ligës së Kombeve, ndaj Çekisë dhe Gjeorgjisë.

Seanca e parë stërvitore nisi në orën 16:00, ndërsa aty munguan vetëm tre lojtarë nga lista e bërë publike nga Silvinjo. Përveç Berat Gjimshitit të dëmtuar, në stërvitjen e parë nuk ishin as Arbër Hoxha, Qazim Laçi dhe Nedim Bajrami. Tre lojtarët do të bashkohen me grupin këtë mbrëmje dhe do të jenë të gatshëm për stërvitjen e radhës.

Trajneri Silvinjo dhe stafi i tij teknik kanë punuar më shumë në “Shtëpinë së Futbollit” me një pjesë të lojtarëve, të cilët kanë mbërritur në grumbullim më herët pasi kanë përfunduar impenjimet me klubet e tyre, ndërsa lojtarët që kanë mbërritur ditën e sotme kanë marrë ngarkesë të lehtë stërvitore.

Grupi ka punuar fillimisht në palestër për të kaluar më pas në fushë, ku është punuar më shumë me topin, teksa skuadra zhvilloi edhe një test miqësor, ku të përfshirë ishin edhe disa lojtarë nga ekipi U-21 dhe U-19.

Kombëtarja shqiptare do të zhvillojë nesër seancën e radhës stërvitore dhe grupi i lojtarëve pritet të jetë i plotë nën urdhrat e trajnerit Silvinjo.

Ndeshja me Çekinë është planifikuar të luhet më 11 Tetor, ndërsa ajo ndaj Gjeorgjisë më 14 Tetor. Të dyja këto takime do të zhvillohen në transfertë, ndërsa transmetohen ekskluzivisht në Tv Klan.

/tvklan.al