Qeveria e Kosovës e ka hequr pjesërisht ndalesën ndaj importit të mallrave nga Serbia, pas një trysnie të vazhdueshme nga Gjermania në lidhje me CEFTA-n dhe Procesin e Berlinit, raportojnë mediat lokale të hënën.

Sipas raportimeve, ndalesa është hequr vetëm për pikëkalimin Merdare mes Kosovës dhe Serbisë.

Radio Evropa e Lirë e ka pyetur Qeverinë e Kosovës për këtë, por ende nuk ka marrë përgjigje.

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë tha në një reagim të hënën se e përshëndet “vendimin e sotëm” të Qeverisë së Kosovës për “ndryshimin e masës së sigurisë për produktet e importuara nga Serbia”.

“Për më shumë se një vit, Oda Amerikane ka përsëritur se një vendim i tillë ka pasur ndikim negativ në interesat komerciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, por edhe ka qenë në kundërshtim me frymën e promovuar nga Marrëveshja për Tregtinë e Lirë e Evropës Qendrore (CEFTA), por edhe zotimet e ndërmarra nga Kosova në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian”, tha Oda amerikane në një njoftim për media.

Në javët e fundit, Gjermania ka këmbëngulur se ndalimi i importit të mallrave nga Serbia dëmton Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA) dhe Procesin e Berlinit, një nismë që synon të ndihmojë zhvillimin ekonomik të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe t’i afrojnë ato me Bashkimin Evropian.

Qeveria e Kosovës e kishte vendosur ndalesën ndaj importit të mallrave nga Serbia në korrik të vitit 2023 për arsye “sigurie”, pasi tre policë të Kosovës ishin arrestuar nga policia serbe. Megjithëse ata ishin liruar më vonë, vendimi për mallrat serbe kishte mbetur në fuqi.

I dërguari i posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, tha në fillim të shtatorit se kjo ndalesë bllokon punën e CEFTA-s, dhe se, për shkak të saj, Kosova mund ta rrezikojë pjesëmarrjen në Procesin e Berlinit.

Radio Evropa e Lirë raportoi javën e kaluar se Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti ishte në prag të heqjes së ndalesës ndaj importit të mallrave nga Serbia.

Samiti i dhjetë i Procesit të Berlinit mbahet më 14 tetor dhe Qeveria e Kosovës i tha REL-it më 3 tetor se po punonte që 10-vjetori i kësaj nisme rajonale të jetë i suksesshëm.

Në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, biznesmenë nga veriu i Kosovës kanë dorëzuar një peticion tek autoritetet kosovare duke kërkuar që të tërhiqen masat e qeverisë për ndalimin e importit të mallrave nga Serbia.

Oda Ekonomike e Serbisë në disa raste i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të heqë “bllokadat e dëmshme” që po shkaktojnë pasoja si për kompanitë serbe ashtu edhe për ato kosovare.

Ndërsa Bashkimi Evropian shprehu qëndrimin se masat e autoriteteve të Kosovës janë në kundërshtim me marrëveshjen e CEFTA-s dhe në kundërshtim me frymën e Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim të Kosovës me BE-në.

Kosova ka qenë pjesë e Procesit të Berlinit që nga themelimi i tij në vitin 2014, dhe disa nga marrëveshjet e nënshkruara në kuadër të kësaj nisme rajonale janë marrëveshja për njohjen reciproke të letërnjoftimeve, diplomave universitare, kualifikimeve profesionale dhe bashkëpunimit në fushën e transportit, energjisë. ekologjinë, dixhitalizimin dhe roamingun.

Kosova është anëtare e CEFTA-s prej vitit 2007, por është e përfaqësuar përmes misionit të OKB-së në vend – UNMIK.

Qeveria e Kosovës ka kërkuar që ky përfaqësim i Kosovës të ndryshohet, ndërsa Gjermania ka ofruar “zgjidhjen” në këmbim të heqjes së ndalesës për importin e mallrave nga Serbia.

Sarrazin theksoi se pranë emrit të Kosovës do të kishte një yll, ose një fusnotë, që tregon se statusi i Kosovës nuk është zgjidhur përfundimisht./REL