Pas paralajmërimeve spekulative që nafta do të arrijë në nivele rekord, çmimi i arit të zi ka rënë sërish. Aktualisht në bursat e Nju Jorkut një fuçi nafte është këmbyer me 120.42 $. Ky është niveli më i ulët i çmimit që prej muajit maj duke shënuar një ulje prej mëse 26$.

Në fillim të korrikut ari I zi tregtohej me 147dollarë për fuçi, ndërkohë që prej disa ditësh çmimi ka rënë ndjeshëm. Analistët e shpjegojnë këtë dukuri me forcimin e dollarit i cili që prej fillimit të krizës është parë si shkaktar kryesor i këtyre rekordeve negative. Ata mendojnë se forcimi i tij ndihmon në rënien e çmimeve pasi e bën naftën më pak tërheqëse për investitorët, të cilët blejnë produkte për tu mbrojtur nga rënia e vlerës së monedhës amerikane.

Ndërkaq OPEC duket se është tërhequr nga paralajmërimi i saj se nafta do të arrijë në nivele rekord këtë vit. Sipas organizatës së vendeve më të mëdha eksportuese nëse vlera e dollarit do të vazhdojë të rritet, brenda pak kohësh çmimi i naftës do të bjerë në 78dollar për fuçi./tvklan.al

Gazetare: Justina Ukaliaj