Dy muaj pasi Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar Taksën mbi Profesionet e Lira si një taksim antikushtetues dhe të padrejtë, mijëra taksapagues ankohen se nuk po u kthehet pas pagesa.

Në këto kushte, Grupi Parlamentar i PD-së, përfaqësuar nga deputetja Jorida Tabaku dhe kryetari i grupit parlamentar Gazmend Bardhi, kanë ndërmarrë një iniciativë ligjore për rimbursimin e taksave të paguara padrejtësisht nga profesionistët e lirë.

“Ky është propozimi ligjor që bashkë me z. Bardhi, po dorëzojmë për rimbursimin e çdo qindarke të paguar nga profesionistët e lirë”, u shpreh Tabaku.

Tabaku kritikoi qeverinë për mosveprim pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Nëse një qytetar apo biznes do të ishte debitor ndaj qeverisë, ajo do të përdorte të gjithë forcën e shtetit për ta marrë borxhin. Sot, kur është radha e qeverisë t’u kthejë paratë qytetarëve, ajo heziton”, tha Tabaku.

Z. Gazmend Bardhi, në mbështetje të këtij propozimi, theksoi rëndësinë e mbrojtjes së profesionistëve të lirë dhe shtresës së mesme si shtylla kryesore e ekonomisë shqiptare.

“Ne jemi të vendosur të qëndrojmë në krah të tyre dhe të sigurojmë që drejtësia të vihet në vend”, deklaroi Bardhi.

Pritet që propozimi ligjor të diskutohet në Kuvend, ku PD do të kërkojë mbështetjen e deputetëve për miratimin e tij.