Të paktën 8 persona kanë mbetur të vrarë, ndërsa rreth 3 mijë të tjerë janë plagosur në Liban pasditen e kësaj të marte, si pasojë e shpërthimit të pajisjeve të dorës të komunikimit, të përdorura nga Hezbollahu. Shpërthimet ndodhën në Bejrutin jugor dhe në disa zona të tjera të vendit.

Hezbollahu, një grup i armatosur i mbështetur nga Irani, akuzoi Izraelin për sulmin.

“Ky armik tradhtar dhe kriminel do të marrë pa diskutim dënimin e merituar për këtë sulm mëkatar, e pret ose jo”, thuhet në një reagim.

Edhe zyrtarë libanezë fajësuan Izraelin për shpërthimet.

Hezbollahu tha se të vrarë kanë mbetur 2 prej luftëtarëve të tij dhe një vajzë 8-vjeçare. Ndërsa Ministria e Shëndetësisë e Libanit tha se 8 persona kanë mbetur të vrarë, ndërsa të paktën 2,750 janë plagosur.

Në mesin e të plagosurve raportohet të jetë edhe ambasadori iranian në Liban, Mojtaba Amani.

Sipas BBC, bëhet fjalë për një sulm kibernetik të koordinuar, që kishte objektiv pajisjet e vogla që njihen si pejxher, por edhe telefonat celularë. Sulmi, i pari i kësaj natyre dhe shkalle, shënon një goditje të fortë për sigurisë së Hezbollahut.

Në rrjetet sociale qarkullojë video të ndryshme në të cilat shihet se pajisjet u shpërthejnë papritur përdoruesve që i kishin në xhepa apo çantë.

Hezbollahu kundërshton prej kohësh praninë e Izraelit në zonat e diskutueshme kufitare. Luftimet midis dy palëve janë përshkallëzuar muajt e fundit, duke rritur frikën e një lufte gjithëpërfshirëse.

Hezbollahu konsiderohet organizatë terroriste nga Britania e Madhe, SHBA e shumë vende të tjera./tvklan.al