Të neveritshme i ka quajtur kryeministri Edi Rama akuzat e Partisë Demokratike se familjarët e tij kanë përfituar padrejtësisht toka në Vuno. Në një koment në rrjetet sociale Rama thotë se akuzat janë një përpjekje për të goditur atë.

Edi Rama: Është një përpjekje që e përshëndes me kënaqësi, sepse aq sa ç’është e neveritshme si gjithnjë kur hidhet baltë mbi familjen time për të luftuar në fakt me mua, aq është këtë herë edhe e mirëseardhur për të bërë dallimin si nata me ditën mes agresorëve të familjes time dhe meje si kundërshtar i papërkulshëm i tyre!

Rama paralajmëron një tjetër padi në gjykatë për akuzat.

Edi Rama: Të gjitha faktet që e ekspozojnë këtë përpjekje, si një lëtyrë të nxjerrë nga kanalet e ujërave të zeza mediatike në Tiranë e në Athinë, e tashmë të propaganduar nga skllevërit e ballkonit Non Grata, do të jenë pjesë e padisë së radhës në gjyq për këta të paudhë që në fakt, po i paguajnë me një vetëdiskreditim e vetëturpërim shembullor në sytë e shqiptarëve paudhësitë e panumërta, që i kanë bërë këtij vendi e këtij populli kur kishin edhe gurin edhe arrën, në duart e tyre të mbrapshta e të pista.

Kreu i qeverisë nënvizon se familjarët e tij nuk i kanë përfituar ende tokat e trashëguara nga stërgjyshi.

Edi Rama:Sot e gjithë ditën, duzina e trashëgimtarëve të pronave të stërgjyshit tonë në Vuno të Himarës, njësoj si plot trashëgimtarë të tjerë të kësaj zone ku sapo isha së bashku me kryebashkiakun tonë të së dielës së ardhshme, Vangjel Tavon nuk i ka marrë ende certifikatat e pronësisë. Sepse unë, ndryshe nga kundërshtarët e mi pa din e pa iman, nuk jam i asaj kategorie përfaqësuesish të popullit, që tjetër thonë për njerëzit e tjetër bëj për vete.

Kryesocialisti shprehet i bindur se qytetarët do të binden dhe do të shohin dallimin mes tij dhe atyre që e akuzojnë.

Tv Klan