“Tenderi për ‘Sami Frashërin’, aferë korruptive”

Për Partinë Demokratike qeveria nuk ka asnjë plan dhe strategji edhe pse ka vendosur të hapën shkollat në 14 Shtator. Ish-deputetja demokrate, Grida Duma thotë se është e paqartë si do të vijojë procesi.

“Shëndeti është i pari dhe nuk mund të hyjmë me eksperimente, të cilat sot hapin shkollën, pastaj le ta provojmë një herë se ç’ndodh dhe nëse ka pandemi, e cila zgjerohet si pasojë e një kaosi, i një mungese alternative, i një mungese plani, i një mungese strategjie, të rrezikojmë sërish që të rimbyllen shkollat, por pastaj do të rimbyllen edhe me krizën shëndetësore”.

Deklaratën e bëri në hyrje të ish-gjimazit Sami Frashëri në kryeqytet, një nga shkollat e dëmtuara rëndë nga tërmeti i vitit të kaluar, por që sipas Dumës, tenderi për rindërtimin është një aferë korruptive.

“’Sami Frashëri’ është një nga rastet më të jashtëzakonshme të aferave të korrupsionit. Një tender prej 10 milionësh nga Bashkia e Tiranës u nis dhe u anulua pa asnjë lloj transparence. Është rritur fondi dhe është bërë 30 milionë dhe nga ana tjetër nuk dihet nëse godinat dhe numri i objekteve është rritur, madje dihet që nuk ka rritje”.

Sipas ish-deputetes demokrate, bashkia dhe Ministria e Arsimit janë përgjegjëse për situatën ku ndodhet infrastruktura e shkollave sot.

Tv Klan