Për herë të parë 3 djemtë simpatik të grupit të famshëm West Side Family do të vijnë përpara fansave të tyre me një koncert recital. Nesër në mbrëmje në Pallatin e Kongreseve West Side Family do të prezantojnë këngët e albumit të tyre “Jeta shkon”, i cili ka pushtuar trregun muzikor.

Djemtë e grupit, sëbashku me udhëheqësin Ardit Gjebrea dhe regjizoren e koncertit Vera Grabocka kanë qënë sot paradite për të diskutuar detajet e fundit për mbrëmjen e madhe.

Megjithëse kanë marrë pjesë në një sër aktivitetesh të mëdha artistike në vend, djemtë janë mjaft të emocionuar për mbrëmjen e nesërme.

Roland Hysi: “Është një eksperiencë e re, hera e parë e kontaktit të gjërë me të gjithë publikun dhe ata që pëlqejnë muzikën tonë, jemi goxha të emocionuar pasi është diçka e re, më në fund arritëm që të vijmë për të gjithë spektatorët dhe për ata që pëlqejnë muzikën tonë me një album, shpresojmë ta pëlqejnë. Gjithmon kemi kënduar nga 2-3 këngë, nuk ka qënë diçka, kësaj rradhe do të jetë diçka e re, do të jenë të gjitha këngët e albumit. Ju presim të gjithëve”.

Armir Shahini: “Emocione sigurisht që do të kemi, por do mundohemi ti shprehim ato në këngë, që të dalim sa më mirë, që kjo rini që do të vi të kënaqet me ne”.

Floran Kondi: “Ndihem shumë i lumtur, shumë i gëzuar, është puna e 6 vjetëve që konkretizohet në një recital që do ta kishte ëndërr çdo artist dhe është një ëndërr që u bë realitet”.

Këngët e albumit “Jeta shkon”, janë kompozuar nga emra të njohur si Shpëtim Saraçi, Adi Hila, Kristi, Flori, madje një nga këngët është kompozuar enkas për ta nga kompozitori Italian Gazebo.

Koncerti që do të trasmetohen nga televizioni kombëtar Klan edhe nëpërmjet valëve satelitore do të prezantohet nga dy drejtuesit simpatik, Rudina Magjistari dhe kryetari i bashkisë Edi Rama, i cili do të këndojë sëbashku me djemtë këngën hit “Tirona”./tvklan.al