Përpara disa vitesh takat përbënin detyrimisht shëmbëlltyrë për feminilitetin shqiptar.

Atëherë kur edhe makinat ishin më të pakta femrat shqiptare mund të barisnin nëpër rrugët e Tiranës kilometra në këmbë në majë të takave qoftë për të shkuar në shkollë apo punë, qoftë edhe kur shëtisnin.

Nuk kishte kurrfarë dallimi sepse nuk mund të dilej pa taka edhe pse lodhja prej tyre mund t’ia kalonte asaj të vetë punëve dhe dëmtonte shëndetin.

Kryeqyteti shqiptar ofronte pamje që nuk mund të gjendeshin në asnjë vend tjetër të zhvilluar të botës, por edhe tek ne nga viti në vit takat po i humbin trokëllimat e forta në trotuare sepse po zëvendësohen me sandalet apo këpucët e sheshta.

Vajzat shqiptare po njehsohen me stilin praktik të evropianëve. Gjithmonë e më shumë vërehen vajza që i kanë braktisur takat jon vetëm gjatë paradites kur vrapojnë të detyruara, por dhe në mbasdite të çlodhjes së tyre ose i mbathin si kudo në botë, së paku vetëm kur dalin për t’u argëtuar. Edhe dyqanet i mëshojnë tendencës së sheshtave.

“Nuk para eci shumë me taka. Vetëm kur kam, kur dal për qejf se tani jam për punë edhe prandaj.”

“Në shkollë nuk i mbaj takat, vetëm kur dal mbasditeve”.

“Pothuajse gjithë kohës, nuk është se i mbaj shumë takat, vetëm në raste shumë të veçanta”.

Por pavarësisht kësaj ka dhe mjaft që e kanë të vështirë të heqin dorë nga huqi i vjetër.

Është mbasdite. Njerëzit nisin të dalin shëtitje, por edhe pse janë pa makina këto vajza duken se do të bëjnë jo pak rrugë në këmbë me taka të larta.

“Faktikisht shoh që vajzat rrinë shumë me taka të larta. Do më pëlqente shumë në ndonjë mbrëmje apo në një festë, po kur i shoh kështu rrugës kot që kanë dalë për pazar dhe me taka shumë të larta më duket sikur e torturojnë veten.”

“Përdorin shumë taka mesa shoh unë tani, nuk e di. Kur dal dhe i shikoj me taka them si mund të ecin me kaq taka të larta në punë, të shkojnë në punë”.

“Më bëri një ditë përshtypje një police me taka shumë të larta që ikte me kujdes se mos i zinte taka me ndonjë nga këtu dhe i thyhej. Ajo ishte për shërbim apo për vizita?

A ndjehen edhe pa taka po aq femërore?

“Në kohën time uhuu, unë kam një çun 23 vjeç, kështu që në atë kohë kanë qenë parë këto gjëra”.

“Po, i mbaj. Me thembra, me taka”.

“Unë ndjehem mirë. E shikoj një çik atë dallimin ndërmjet takave dhe të sheshtave se dukesh një çik më, por që prapë ndihem mirë…”.

Por jo vetëm femrat kanë pësuar revolucion. Jo më pak meshkujt e kanë pasur apo kanë tabu përdorimin e sandaleve dhe shapkave në vend të këpucëve apo atleteve.

Edhe gjatë temperaturave tepër të larta të verës kur këmbët e pa ajrosura sillnin vetëm vapë, mungesë higjiene dhe bezdi përdorimi i shapkave nga shumë meshkuj shihej me drojë si mungesë e seriozitetit të tyre karakterial.

Por tashmë, sidomos brezi i ri, baret me këmbë të ajrosura dhe të shëndetshme në natyrë, ndërsa më të vështirë e kanë ata që janë mesoburra dhe i përkasin një tjetër brezi.

Gazetarja: Nuk mendoni të përdorni sandale në vend të këpucëve?

“Po ne shqiptarët jemi mësuar si në të nxehtë, si në të ftohtë vish ça të duash. Do e përballojmë, do kalojmë.”

Gazetarja: Keni të vështirë atë mentalitetin ndoshta që…?

“Jo, unë më tepër jam sportiv.”

Gazetarja: Nuk keni vapë?

“Do ti, s’do ti, vapë është”.

Gazetarja: Po pse nuk i hiqni këpucët atëherë?

“Po të dal zbathur?”

Gazetarja: Po me shapka.

“Ç’ndryshim ka nga njeriu nga kafsha? Dal zbathur, jam në rregull”.

Dihet se feminilieti apo maskiliteti, serioziteti apo e kundërta burojnë së shumti nga brenda jashtë dhe jo anasjelltas.

Me apo pa taka, me apo pa këpucë, ajo që stilistët dhe psikologët kudo në botë këshillojnë për veshjet është që ato të përmbajnë mbi të gjitha rehati, prakticitet, patjetër edhe bukuri dhe mbi të gjitha të jenë në dobi të shëndetit. Çdo gjë kundër kësaj logjike duhet të mbetet pas./tvklan.al