Lajme Arkiva 2003

Sokol Olldashi: Për të respektuar formalisht kërkesën e ligjit do të bëj një votim për atë pjesë të raportit që është prezantuar nga kryetari I këtij komisioni, pra nga unë, në emër të përfaqësuesve të opozitës. Kush është dakord me këtë projekt? Atëherë Klodi shënoji të lutem 6 vota kundër, 5 vota pro.

Raporti i kryetarit të komisionit hetimor parlamentar Olldashi,nuk është miratuar nga komisionerët socialistë, të cilët përbënin shumicën e votave. Këshilltarët socialistë nuk e kanë marrë në konsideratë këtë raport që sipas tyre nuk i plotësonte kushtet dhe pasqyronte probleme mbi të cilat ishte ngritur ky komision. Ata kanë paraqitur një projektraport mbi 50 faqe.

Fatmir Xhafa: Nuk merr në konsideratë rrethin e problematikës së gjerë të hetuar nga komisionerët e këtij komisioni, si dhe nuk arrin në konkluzione dhe përfundime të nevojshme, në përputhje me frymën kushtetuese dhe kërkesat e ligjit numër 8891 datë 02.05.2002, për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të kuvendit. Ne shprehim votën kundër këtij raporti dhe nuk e miratojmë atë që të konsiderohet raport përfundimtar i këtij komisioni hetimor parlamentarë.

Ndërsa opozita materialin e paraqitur nga socialistët e quan një lloj oponence të atyre pjesëve që ajo ka paraqitur në komision.

Sokol Olldashi: Defekt tjetër që unë konstatoj në materialin e paraqitur nga Partia Socialiste, është se në mënyrë të parregullt, të paligjshme, ai bënë referenca në akte të ekspertëve të thirrur nga përfaqësuesit e Partisë Socialiste në komision pa një vendim të komisionit dhe duke mos patur një vendim të komisionit dhe duke mos patur në këtë mënyrë vlerën e provës apo të aktit të ekspertimit, sikurse bën referenca po aq të paligjshme në dëshmi të marra në seanca të zhvilluara në rrugë ekstraligjore, në seanca të thirrura në mënyrë të njëanshme, nuk e konsideroj këtë raport që i përgjigjet obejtkit të hetimit për një tekst të gjatë avokatie për kryetarin aktual të Bashkisë së Tiranës.

Në votimin e projektraportit të përfaqësuesve socialist 6 vota kanë qenë pro, 4 kundër dhe deputeti Nard Ndoka ka abstenuar. Kështu raportit të socialistëve do t’u bashkëngjiten edhe vërejtjet e opozitës. Raporti përfundimtar do të paraqitet ditën e enjte në seancë plenare në kuvend. Kështu i është dhënë fund seancave të gjata të këtij komisioni që analizoi veprimtarinë e ish ministrit të kulturës, njëkohësisht edhe kryetar të bashkisë Edi Rama, komision që për tre muaj rresht është karakterizuar nga debate dhe sharje të ndërsjella./tvklan.al