Dy rrugë në kryeqytet do të mbajnë emrat  e Bledi Ninit dhe Gerond Hysit, dy mjekëve që humbën betejën me Covid-19 në 2020 dhe 2021. Emrat e tyre janë përjetësuar në dy rrugë të ndryshme në Tiranë, pranë spitalit të Sanatoriumit.

“Aseti numër një i qytetit janë njerëzit dhe në qoftë se Tirana është kjo që është sot, është sepse ka njerëzit, si fije të padukshme që na lidhin bashkë. Nuk besoj se ka njeri që kontribuon më shumë në lidhjen mes njerëzve të një qyteti se sa mjeku”.

Duke u rikthyer pas, Veliaj tha se dy mjekët e njohur në QSUT, otorinolaringologu Bledi Nini dhe endokrinologu Gerond Hysi ishin në front të pandemisë për të mbrojtur jetën e të tjerëve.

“Para se të hedhim një akuzë për mjekët, dhe para se të të fusin në atë tjerrjen e pafundme të llogjeve të Tiranës, le t’i kujtojmë ato katër vite më përpara, ku me një izolim të plotë, shpresa e vetme ishin mjekët me bluza të bardha. Ka një shprehje që thotë se “jo të gjithë heronjtë veshin pelerina”, por në fakt dy heronjtë tanë vishnin pelerina, vishnin bluzat e bardha të mjekëve. Ndaj, sot ndihem i përulur dhe besoj se i lëmë një pajë qytetit tonë, ku këto shembuj frymëzues i kemi shenjuar në toponimet e qytetit, në rrugët e qytetit”.

Mjeku Bledi Nini, u nda nga jeta më 25 Nëntor në 2020, në moshën 48-vjeçare. Ndërsa mjeku Gerond Hysi, humbi jetën me Covid në 13 Mars të vitit 2021, në moshën 50-vjeçare.

Tv Klan