Përplasja e dy mjeteve, për pak sa nuk ka qenë fatale për një punonjëse të Policisë Rrugore, e cila ndodhej në shërbim. Ngjarja e rëndë ka ndodhur paraditen e së mërkurës në autostradën Tiranë Durrës, pranë Vorës.

Dy makina janë aksidentuar dhe zhvendosja e njërës prej tyre ka goditur efektiven, e cila ka përfunduar ngjitur me trafik ndarësen. Arta Shurbi është dërguar nga kolegët në Spitalin e Traumës dhe nga kontrollet e kryera, rezulton jashtë rrezikut për jetën.

“Më datë 09.08.2023, rreth orës 10:30 në Vorë, në afërsi të një karburanti, janë përplasur dy automjete, dhe si pasojë e përplasjes është dëmtuar punonjësja e Policisë së Qarkullimit Rrugor, Inspektore Arta Shurbi, (e planëzuar në shërbim), e cila po dërgohet në spital, për ndihmë mjekësore. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit”, tha policia në një njoftim për mediat.

Ndërkohë, kjo rezulton të jetë hera e dytë që kjo efektive aksidentohet gjatë kohës që ndodhet në detyrë. Dy vite me parë, teksa ndodhej në shërbim ajo u përplas nga një automjet tek Casa Italia. Edhe në këtë rast, ajo mbeti e plagosur, pa rrezik për jetën./tvklan.al