Skandali te Onkologjiku në QSUT ka ndezur tensionet gjatë seancës plenare në Parlament. Opozita kërkon që marrja e masave nga shteti të nisë me largimin e ministres së Shëndetësisë, Albana Koçiu.

Ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu, tha se për këtë rast nga ana e dikasterit që ajo drejton janë marrë të gjitha masat ndëshkimore për mjekët e përfshirë në skandal, ndërsa pjesa tjetër sipas saj i takon drejtësisë.

Albana Koçiu, ministre e Shëndetësisë: Për të sanksionuar edhe me ligj të gjithë ata mjekë se nuk mund t’i quaj as profesionistë më që abuzojnë me detyrën, që e trajtojnë jetën njerëzore si mall në tregun e shumicës do të përballen me ndëshkime dhe me sanksione të cilat ne do t’i bëjmë prezente në këtë Kuvend. Unë jam e bindur se shumë kush prej qytetarëve pavarësisht problematikave që vazhdojnë ende të hasin kanë eksperienca të shëndetshme në spitalet tona.

Në mbrojtje të Albana Koçiut doli edhe zv.kryeministrja Belinda Balluku, e cila garantoi se nuk do të ketë asnjë largim të ministres së Shëndetësisë dhe se do të merren të gjitha masat që mjekët të marrin ndëshkimin e duhur.

Belinda Balluku, zv.kryeministre: Këto historitë me ministra që duhen të largohen, ju mund ta kërkoni, por ministri do të vazhdojë punën, pasi po e bën mirë madje. Ndërkohë jemi ne që marrim masat dhe ministria do iu informojë të gjithë ju se si po merren masat në Ministrinë e Shëndetësisë për të gjithë ata mjekë për të cilët jemi thellësisht të tronditur dhe të neveritur për atë se çfarë kanë bërë.

Ndër të tjera, ministrja Koçiu kërkoi që ky rast të mos shërbejë për përbaltur çdo mjek.

Klan News