Merren zyrtarisht te pandehur 6 persona, për 2 vrasjet me 4 viktima në Durrës 

23-vjeçari që ka marrë statusin e bashkëpuntorit të drejtësisë Klevis Alla dhe 5 të dyshuarit e tjerë për dy ngjarjet kriminale në Durrës me 4 viktima janë përballur me gjykatën e posaçme. Gjatë zhvillimit të seancës, prokuroria ka relatuar provat dhe ka kërkuar që dosja në ngarkim të 6 të akuzuarve të kalonte për gjykim si persona të dyshuar për vrasjen e Anxhelo Avdias dhe Dorjan Shkozës më 2 Mars në Shën Vlash të Durrësit dhe ekzekutimin e vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia më 27 Prill po në qytetin bregdetar.

Togat e zeza pasi kanë dëgjuar argumentet e palëve kanë vendosur që të kalojnë për gjykim dosjen në ngarkim të Besian Xhixhës, Enver Divës, Altin Ndocit dhe Klevis Allës. Ndërsa për dy personazhet kryesore Talo Çela dhe Nuredin Dumani që vazhdojnë të jenë në kërkim është vendosur që të pezullohet gjykimi për një vit më qëllim gjetjen dhe arrestimin e tyre. Talo Çela është një nga njerëzit më të kërkuar të drejtësisë shqiptare për disa vepra penale. Sipas hetimeve të SPAK, Talo Çela kishte kohë që përgatiste dy vrasjet në Mars dhe Prill të 2020-ës, ndërkohë që lëvizte i qetë.

Është bashkëpunëtori i drejtësisë Klevis Alla që ka hedhur dritë mbi ngjarjen. I riu ka treguar me detaje të gjitha veprimet që janë kryer nga të dyshuarit për të vrarë 4 personat.  Alla ka treguar se për të vrarë Besmir Haxhinë ishin porositur Besian Xhixha dhe Enved Diva. Ky i fundit disa ditë më vonë kishte rezultuar i prekur nga Covidi dhe nuk mund të kryente vrasjen e Haxhisë.

Në dosje thuhet se duke qenë se plani i parë dështoi, Talo Çela me Nuredin Dumanin dhe Altin Ndocin kanë vënë në zbatim planin e dytë për ta ekzekutuar vetë Besmir Haxhinë të cilin e ka nxjerrë në pritë Alla. Gjatë vrasjen së dy vëllezërve janë zbrazur 55 plumba në drejtim të tyre. Si mollë sherri mes të dyshuarve janë bërë 4.6 milionë Eurot e grabitura në 9 Prill të 2019 në aeroportin e Rinasit.

Klan News