Polonia regjistron fitoren e parë në Kupën e Botës në Katar 2022 dhe hedh një hap të madh drejt raundit të 1/16-ave. E udhëhequr nga një Robert Lewandowski në një superformë, kombëtarja europiane mposhti pa shumë probleme 2-0 Arabinë Saudite.

Dehja nga suksesi kundër Argjentinës i kushtoi jo pak arabëve, të cilët ndaj Polonisë ishin të pafuqishëm për të shmangur humbjen dhe për të siguruar të paktën një pikë. Polakët shënuan nga një gol për çdo pjesë për të siguruar 3 pikëshin dhe kreun e grupit C. Zjelinski kaloi në avantazh Poloninë pas 40 minutash lojë, me një asist të sulmuesit të Barcelonës, Robert Lewandowski.

Arabia tentoi që të rikthehej në lojë, madje në fundin e pjesës së parë e kishin në dorë barazimin, por u treguan të pasaktë nga 11 metra larg. Shezni neutralizoi futbollistin arab, për ta dërguar Poloninë në dhomat e zhveshjeve në avantazh të një goli. Me rikthimin në fushë, Polonia gjeti sërish golin, këtë herë me sulmuesin më të rrezikshëm të tyre, Robert Lewandowski.

34-vjeçari përfitoi nga gabimi në mbrojtje për të mposhtur portierin dhe shënuar golin e parë në një Kupë Bote në karrierë. Një fitore me tepër peshë për polakët, të cilët do tentojnë edhe të paktën një pikë ndaj Argjentinës në duelin e radhës për të kaluar më tej. Ndërkaq, arabëve iu duhet fitorja ndaj Meksikës. 

Klan News