Prokuroria e Tiranës merr nën hetim 9 punonjës policie

9 efektivë të Policisë në Tiranë dhe Korçë janë kapur në përgjime duke bërë favorizime në shkelje të detyrës.

Sipas dosjes hetimore që disponon Tv Klan, Prokuroria ka ngritur akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” për shefin e Komisariatit të Policisë së Korçës, pasi ka rezultuar se ndërhynte të vartës të tij, për të lejuar persona të ndryshëm të largoheshin pa masa jashtë orarit të karantinës, apo të merrnin dokumentacionin e bllokuar.

Për të njëjtin episod të hetuar janë marrë efektivët Petro Fraholli, Çlirim Akrobati, Kamber Kllogjeri, Klement Pikuli dhe Genci Hysa.

Ndërkohë, nga hetimet për efektivët e Tiranës, ka rezultuar se efektivët e komisariatit numër 1, Durim Murja, Jashar Shehu dhe Arjan Balla pasi kanë verifikuar një telefonatë në sallën operative se në shkelje të aktit normative ishte duke u zhvilluar festë në një biznes, pasi kanë shkuar atje kanë raportuar se telefonata ishte e rreme. E njëjta situatë sipas Prokurorisë përsëritet edhe në raste të tjera.

Ndërkohë, efektivja Matilda Hamollari, me kërkesë të Durim Murjas, ka gjetur të dhënat e një vajze nëpërmjet targave të makinës, në nder të mikut të këtij të fundit, i cili e kishte pëlqyer pasi ishin hasur në një lavazh makinash.

Tv Klan