Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog e konsideron sulmin e Iranit si një shpallje lufte. Në një intervistë për Sky News, Herzog tha se “ka ardhur koha që bota të përballet me këtë perandori të së keqes në Teheran”.

“Udhëheqësit botërorë duhet t’ja bëjnë të qartë regjimit iranian se sjellja e tij është e papranueshme”, u shpreh Presidenti izraelit.

Pavarësisht se dënon ashpër sulmin e Iranit, presidenti i Izraelit thekson se vendi i tij dëshiron paqe në rajon.

“Ne kërkojmë paqe. Kemi bërë paqe herë pas here me fqinjët tanë. Për fat të keq, gjithçka filloi më 7 Tetor kur një tjetër përfaqësues i Iranit, Hamasi, udhëhoqi masakër brutale kundër qytetarëve izraelitë. Ne u sulmuam mbrëmë nga katër anët e Lindjes së Mesme që gjuanin raketa ndaj nesh. Kjo është luftë e vërtetë. Kjo është një deklaratë lufte”, u shpreh Isaac Herzog.

I pyetur nëse është dakord me thirrjen e vendeve Perëndimore që apelojnë për të ruajtur qetësinë, Presidenti izraelit u shpreh: “Gjëja e fundit që Izraeli kërkon në këtë rajon që prej krijimit të tij është të shkojë në luftë, ne po kërkojmë paqe. Por Teherani ka përhapur terror dhe paqëndrueshmëri në të gjithë botën, veçanërisht në rajonin tonë”.

Sistemi mbrojtës i Izraelit, me ndihmën edhe të avionëve amerikanë dhe britanik rrëzuan 99% të dronëve dhe raketave iraniane.

/tvklan.al