3 organizata joqeveritare e denoncojnë lejimin e hyrjes së produkteve të modifikuara gjenetikisht në vendin tonë. Bëhet fjalë për lejimin e importimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës të 16 mijë tonëve misër dhe sojë të modifikuar gjenetikisht.

“Kjo sasi misri dhe soje do të kalojë edhe në industrinë ushqimore, disa kompani janë të interesuara, destinacioni se ku do të përpunohet ne akoma nuk kemi informacion, por rreziku është që kjo sasi që vjen mund të kalojë edhe si material mbjellës te fermerët, gjë që e shkallëzon më tepër rrezikshmërinë për arsye se krijon kontaminim të varieteteve autoktone të misrit dhe me gjithë pasojat që ka në zinxhirin e sistemit të buqësisë”.

Dy komisione parlamentare kanë miratuar projektligjin në mbrojtjen e biodiversitetit që bllokon hyrjen e këtyre produkteve për një periudhë prej 5 vjetësh. Ky projektligj ende nuk ka kaluar në parlament, ndërkohë që Ministria e Mjedisit është shprehur pro hyrjes së produkteve të modifikuara gjenetikisht, ndërësa Ministria e Buqësisë ka zgjedhur të hesht.

Produktet e modifikuara gjenetikisht dëmtojnë florën dhe faunën. Kundër mbjelljes dhe përdorimit të produkteve të modifikuara gjenetikisht me ligj janë shprehur dhe parlamenti Evropian dhe vende të ndryshme të Bashkimit Evropian./tvklan.al