Gazeta e mirënjohur britanike “Financial Times” ka risjellë në vëmendjen e lexuesve projektet e planifikuara në ishullin e Sazanit në Shqipëri të Jared Kushner, dhëndri i kandidatit për president në SHBA Donald Trump.

Kryeministri Rama i ka thënë gazetës britanike se Shqipëria ka nevojë për super luks, ashtu si një shkretëtirë ka nevojë për ujë. Sipas kreut të qeverisë, projektet e dhëndrit të Donald Trump do t’i sjellin vendit tonë fitime të jashtëzakonshme. Ai sqaron se qasja fillestare për projektin miliona dollarësh të dhëndrit të ish-presidentit amerikan, për transformimin e ishullit të Sazanit u bë nga vetë Kushner ndryshe nga planet e investimeve në Serbi, të cilat duket se patën një “negociator”, ish të Dërguarin Special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

“Ne kemi nevojë për super luks ashtu si një shkretëtirë ka nevojë për ujë. Kushner dhe Grenell bënë ofertën në Shqipëri përpara se të ktheheshin për të investuar në Serbi. I vetmi ndryshim, është se në Shqipëri ishte Kushner, jo Grenell, ai që bëri qasjen fillestare. Në Serbi sigurisht që Grenell ishte prezantuesi i projektit, por këtu jo.”

Në muajin mars të vitit 2024 numri një i qeverisë theksoi se, Kushner ka bërë një kërkesë zyrtare për ishullin e Sazanit, që ai të investojë aty për ngritjen e një resorti turistik luksoz.

Rama ka thënë se Kushner me kompaninë e tij ende nuk ka bërë një kërkesë zyrtare sa i takon Zvërnecit.
Përpjekjet e Kushnerit në rajonin tonë përfshijnë investime që tejkalojnë shifrën e 1 miliard dollarëve.

Në Uashington, njoftimi i marrëveshjeve për investime me Tiranën dhe Beogradin ngriti pikëpyetje mbi një konflikt të mundshëm interesi nëse Trump kthehet në detyrë në nëntor në Shtëpinë e Bardhë. Grenell dhe Kushner e kanë hedhur poshtë këtë hipotezë, duke argumentuar se ata po veprojnë si qytetarë privatë. Kushner ka thënë se në rast të një mandati të dytë presidencial të Trumpit ai nuk do të kishte një rol në administratë. Entuziazëm për projektin e Sazanit shfaqi disa ditë më parë edhe Ivanka Trump, vajza e kandidatit të republikanëve për president të SHBA-ve.

Klan News