Socialistët mbledhin të dielën Kongresin Zgjedhor, në fokus të të cilit, do të jenë jo vetëm punët e partisë, por edhe sfidat dhe arritjet e qeverisë.

Tv Klan ka mësuar se forumi më i lartë drejtues i Partisë Socialiste do jetë i ndarë në tre sesione, ku në pjesën e parë, atë të Mirëqeverisjes, ministra të kabinetit “Rama 3” do të parqesin arritjet e deritanishme.

Në pjesën e dytë, atë për Antikorrupsionin, pritet të flasin ministrja e Shtetit për Administratën, Adea Pirdeni dhe Fatmir Xhafaj, të cilit Edi Rama i ka besuar kryesimin e Komisionit Antikorrupsion.

Pjesa e tretë do të fokusohet tek punët e brendshme të partisë. Sekretari i Përgjithshëm Blendi Klosi, ministrja për Parlamentin Spiropali dhe ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët Bora Muzhaqi do të përqëndrohen tek nisma “Deputeti që duam”, rienergjizimi dhe anëtarësimet e reja në parti.

Për kandidatët, të cilët do të aspirojnë të bëhen deputetë të kësaj force politike, kryesocialisti do të prezantojë edhe platformën për përzgjedhjen e tyre. Tre objektivat e qeverisë; turizmi, antikorrupsioni dhe mirëqeverisja të jenë edhe në fokus të fjalës që Edi Rama pritet të mbajë përpara delegatëve të kongresit.

Më mbarimin e fjalës së Kryeministrit, pritet të nisë edhe votimi i Asamblesë së re. Nesër delegatët e Partisë Socialiste do të votojnë për 156 anëtarë të Asamblesë, nga 350 që ka ky forum, ku një pjesë zgjidhen automatikisht për shkak të funksioneve drejtuese që mbajnë në nivel qendror dhe atë lokal.

Tv Klan