Arjan Sala, shefi i sigurisë i cili humbi jetën pasi shpëtoi mbi 20 persona nga magazina që u përfshi nga flakët, është shpallur “Dëshmor i Atdheut”.

Klan News ka siguruar një foto, ku 32-vjeçari ka qenë duke shkuar drejt magazinës për të shuar flakët. Në foto ai duket teksa vrapon dhe në dorë mban një fikëse zjarri.

Gjithashtu në imazh duket qartë edhe automjeti me të cilin ai kishte arritur tek magazina pas lajmërimit se kishte rënë zjarr.

Arjan Sala u gjet pas 3 ditësh nga rënia e zjarrit, në dyshohet se u shkaktua nga një masë në kabullin e neonëve. Menjëherë sapo ra zjarri, ai i fut së bashku me rojet e tjera të sigurisë dhe nxorën jashtë të gjithë punëtorët. Pas kësaj, 32-vjeçari mori një bombol dhe tentoi të fikte zjarrin në vatrën e tij. Por flakët u përhapën me shpejtësi dhe ai nuk mundi të dilte.

Në ekspertizën paraprake thuhet se 32-vjeçari ka tentuar të dalë nga një derë e emergjencës, por besohet se është rrëzuar për shkak të errësirës dhe tymit të dendur që kishte pushtuar magazinën. Më pas flakët janë riaktivizuar dhe temperatura në brendësi arriti mbi 900 gradë.

Arjan Sala la pas bashkëshorten dhe një fëmijë të vogël.

Klan News